Java e parë e dhjetorit pritet ta gjejë kryeministrin Edi Rama një hap larg kozmosit.
Së bashku me Elon Musk, kryeministri do shtypë butonin e nisjes në hapësirë, të dy satelitëve të parë me flamur shqiptar. Ndryshe nga Lasgushi dhe Naili, emrat e avionëve të Air Albania, qeveria ka zgjedhur emra më të thjeshtë për satelitët e saj. Nga “Cape Canaveral” drejt përjetesisë, do nisen Albania 1dhe Albania 2. Një fabul që vetëm seriali simpsons mund ta parashikonte.
Sipas liderit politik të së majtës në pushtet prej dhjetë vjetësh, Edi Rama nuk mund të mos nënvizonte epokën e re sipas tij ku futej vendi.
Por si fitore, edhe kjo e satelitëve, ka një fature. 6 milion dollarë.
Kjo kontratë konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, për një periudhë tre vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS), si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj”- tha Niko Peleshi.
Nevojën e këtyre dy satelitëve kryeministri Edi Rama e shikon të lidhur me situatën e dështimit të përpjekjeve për të eliminuar ndërtimet pa leje. tani satelitet do bëjnë punën, qe sipas tij nuk duhet ta bënte qeveria, por ne te tjerët.
Me idenë e tij stabël se qentë le te lehin por karvani ecën para, Kryeministri paralajmëroi ngritjen ne hapësirën kozmike, te se pares agjensi shtetërore shqiptare.
“Ne do të kemi një kryeinspektoriat në qiell i cili nuk ka emër të përveçëm, i cili nuk ka kushërinj, i cili nuk ka parti dhe i cili ka një sy që i sheh të gjitha dhe një detaj që ministri në gjithë renditjen e gjatë të gjërave që do të bëjë ky kryeinspektoriat, nuk e solli në vëmendje është që me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur sapo nisin.”- tha Edi Rama.
Syri nga 150 km do zbulojë shkelje si për shembull katër katet e syrit të Tiranës, që sipas Ramës u kishin shpëtuar të gjithëve, por jo qeverisë.
Por opozita reagoi në mënyrë tokësore, për këtë zhvillim hapësinor te qeverisë.
“Çudi si na duhen satelitë 150 kilometra mbi tokë për të parë diçka që dallohet lehtësisht mes Tiranës” . Justifikim cinik për tenderin me vlerë 5.7 milion euro në këtë kohë kur I kërkon Shqipërisë sakrifica dhe vetë shpërdoron taksat e tyre”- tha Jorida Tabaku.
Gjithsesi cinizmat dhe batutat harrohen. Në fund fare do mbetet në histori fakti, që Shqipëria në dhjetor do ketë edhe ajo, dy satelitet e saj.
Dhe simpsons një tjetër parashikim të realizuar në praktikë.
Top Channel