I shndërruar në stuhi të kategorisë 4, uragani “Ian” u përplas me të gjithë forcën e tij në jugperëndim të Floridës, një ditë pasi shkaktoi shkatërrime të mëdha në Kubë.
Autoritetet amerikane kanë shpallur gjendjen e emergjencës, ndërsa mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në zonat e goditura, ndërsa videot që qarkullojnë në mediat sociale janë treguesi më i qartë i asaj me të cilën po përballen banorët atje.
Erëra që mbërrijnë shpejtësinë 240 km/h, përmbytje masive, batica frikësuese: Ian u kthye në stuhinë e pestë në histori që lëshohej mbi tokën amerikane me një egërsi të tillë. Furinë e uraganit e ndjeu më shumë qyteti i vogël Fort Myers, ku uji gëlltiti makina e ndërtesa, ndërsa pamjet që mbërrijnë prej andej, janë përshkruar në mediat vendase si apokaliptike.
Më shumë se 2 milionë vetë në Florida kanë mbetur pa energji elektrike. banorëve u është bërë thirrje të mbyllen në shtëpi ose të strehohen në bunkerët e emergjencës. “Në 30 vite karrierë, kurrë nuk e kisha parë një gjë të tillë”, u shpreh metereologu amerikan Mike Seidel që punon për Weather Channel. Presidenti Joe Biden foli me guvernatorin e Floridës Ron DeSantis, e diskutoi me të mënyrat se si qeveria federale mund ta ndihmonte Floridën.
“Është një stuhi jashtëzakonisht e rrezikshme. Administrata ime është në gatishmëri. E kam miratuar menjëherë kërkesën e Floridës për ndihmë urgjente. Agjencia e emergjencave ka vendosur 700 punonjës në Florida para uraganit. Guvernatori ka aktivizuar 5 mijë pjesëtarë të gardës kombëtare dhe 2 mijë pjestarë do të vijnë nga shtete të tjera”- u shpreh Biden.
Shërbimi Kombëtar i Motit tha se forcimi i stuhisë përgjatë brigjeve të Gjirit të Meksikës mund të ketë pasoja katastrofike, me disa zona që mund të bëhen të pabanueshme për javë ose muaj. Banorët janë larguar nga zonat e rrezikshme ndërsa aeroportet kanë ndaluar fluturimet.
Top Channel