Dy satelitë së shpejti në hapësirë, Peleshi: Do monitorohet gjithçka, nga parcelat me kanabis te kalimet e paligjshme të kufirit

29/09/2022 10:30

Shqipëria nënshkroi sot një kontratë të shërbimit satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri me dije se kontrata ka vlerën 6 milionë dollar dhe konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, “Albania 1” dhe “Albania 2”, fillimisht për një periudhë 3-vjeçare, për monitorimin e territorit të Shqipërisë.

Ai sqaroi se satelitët do të ndihmojnë në përpunimin e informacionit gjeohapësinor si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë. Satelitët do të ndihmojnë shumë fusha, si Policinë e Shtetit apo ministrinë e Bujqësisë.

Niko Peleshi: Sot do nënshkruhet kontrata e shërbimit satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Shqipërisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit SateLogic SHBA. Kontrata ka vlerën 6 milionë dollarë. Konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, fillimisht për një periudhë 3-vjeçare, për monitorimin e territorit të Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike, profesionale, për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e informacionit gjeohapësinor si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë.

Imazhet satelitore do sigurojnë një mbulim të plotë të informacionit. Përveç marrjes së imazheve, ky shërbim do të bëjë dhe analizë informacioni. Agjenci Kombëtare e mbrojtjes civile do të marrë informacion lidhur me lumenjtë, urat, godinat, përmbytjet, studime, rrugë të bllokuara, trashësia e borës në mënyrë të marrë masa të shpejtë. Policia do të ndihmohet në marrjen e informacioneve për pyjet, zonat e mbrojtura, kultivimin e lëndëve narkotike, kalimet e paligjshme të kufijve e shumë shërbime të tjera. Ministria e Bujqësisë do të kontrollin e ujerave, peshkimin, do të monitorojë rrjetin e kanaleve të ujit. Unë po përmend vetëm disa të dhëna.

Top Channel