Shqiptarët ikin dhe nga Greqia! Brenda një viti janë 131 mijë emigrantë më pak

28/09/2022 15:18

Pajtim Lusha nga Shqipëria punon për më shumë se 20 vjet në fermat greke dhe këto ditë, në mbledhjen e ullinjve në Olintho të Halkidhikisë bashkë me 10 punëtorë të tjerë.

Por siç shprehet ai, bashkë me kultivuesit e ullinjve, krahët e punës tashmë janë të pamjaftueshme.

Sipas televizionit publik të Greqisë nga 9000 punëtorë që duhen në këtë sezon për ullinjtë, vetëm 4 mijë punojnë në gjithë zonën e Halkidhikisë dhe fermerët grekë janë të dëshpëruar.

“Puna është e vështirë. Duhet të rrish me arkën në qafë majë shkallës për më shumë se 10 orë. E imagjionini sa të dhëmbin këmbët”.

Përveç shqiptarëve që kanë vite që banojnë dhe punojnë në kulturat bujqësore ndihmë e madhe ishin punëtorët sezonalë kryesisht nga Shqipëria,por që këtë vit janë më të paktë pasi pas dy vitesh pandemie dhe mungesës së ofertës , kanë kërkuar punë në vendet e Europës Qendrore, ku pagat janë më të larta dhe kushtet janë më të mira.

“Këto kohë nuk gjenden lehtë punëtorët e kulturave bujqësore. Shqiptarët që vinin këtu, shumica tashmë shkojnë në vende të tjera. Shkojnë në Gjermani apo në Itali, ku ka punë më të mira”.

Mungesa e tyre duket edhe në raportin e publikuar ditët e fundit nga  Ministria greke për Migracionin dhe Azilin ku vihet re se shtetasit shqiptarë në Greqi përbëjnë numrin më të madh të të huajve në vend.

Sipas raportit në muajit gusht të këtij viti, rezultojnë me leje qëndrimi të vlefshme në Greqi 291.868 emigrantët shqiptarë ,ose 61,4 % të të huajve të rregullt nga vendet e treta. Në këtë shifër përfshihen dhe 13.329 pjesëtarë të minoritetit nga Shqipëria, që jetojnë prej vitesh në Greqi.

Por ajo që bën përshtypje është fakti se sipas raporteve të ministrisë , në të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i shqiptarëve me leje qëndrimi të vlefshme ishte dukshëm më i lartë, 422.954 persona me leje të vlefshme qëndrimi, ose 130.000 me shumë se sivjet.

Sipas ekspertëve të emigracionit, ky reduktim i numrit të emigrantëve të rregullt shqiptarë në një vit, shpjegohet me vonesën e procedurave të lejeve të qëndrimit, por kryesisht me një  dinamikë të lëvizjes së atyre që punonin e jetonin në Greqi, drejt vendeve të tjera evropiane, kryesisht Gjermani dhe Britani.

Shkak i kësaj lëvizje thonë ata ,janë përveç burokracisë ,pagat e ulëta në fermat greke në një moment të vështirë inflacioni që po kalon vendi me rritjen galopante të çmimeve, përkundrejt pagave më të larta në vendet e tjera europiane.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA