Britania dhe SHBA kanë njoftuar dje qytetarët e tyre në Rusi të largohen nga vendi me argumentimin se ata që zotërojnë qytetari të dyfishtë britaniko-ruse mund të rekrutohen për të luftuar në Ukrainë.
Ministria e brendshme britanike tha se rreth 4,000 britanikë gjenden në Rusi, një pjesë e tyre me qytetari të dyfishtë.
Putin ka njoftuar ‘mobilizim të pjesshëm’ teksa kërkon të shtojë rreth 300 000 ushtarë për frontin në Ukrainë, shkruan britanikja TheSun.
Prandaj autoritetet këshillonin britanikët të largoheshin nga vendi në rast se prezenca e tyre atje “nuk ishte esenciale”.
“Britanikët që kanë pasaportë ruse duhet të dinë se mund të përfshihen nga mobilizimi. Pikat kufitare dhe aeroportet kanë qenë mjaft të zëna që prej 21 shtatorit kështu që planifikoni kohë shtesë për udhëtimin tuaj”.
Ambasada amerikane gjithashtu nxiste qytetarët e saj dhe turistët të largoheshin “menjëherë sa ende ka opsione të mbetura udhëtimi”.
“Operacioni special” i Putin në Ukrainë duket se nuk po shkon sipas planit pas humbjeve të fundit të Moskës në fushëbetejë, por rusët kërkojnë të shmangen nga rekrutimi duke u larguar nga vendi prej frikës së fushata mund të bëhet e detyruar.
Mes raportimeve të fundit, burrat thuhet se po martohen me nxitim ose po regjistrohen si kujdestarë të të moshuarve për t’i shpëtuar luftës, ndërsa në rastet me ekstreme është folur për vetë-plagosje ose gjymtime për të mos u rekrutuar.
Disa sulme janë regjistruar në pikat e rekrutimit dhe një burrë i vuri zjarrin vetes në stacionin hekurudhor të Ryazan, për të shmangur dërgimin në front.
Gratë ruse kanë qenë në krye të protestave kundër mobilizimit në rajonin Dagestan, duke dalë në rrugë me brohoritjet: “Mos merrni burrat tanë!”
Rrjeti vendas OVD-Info shfaqte banorë të zonës Endirey që bllokonin rrugën kryesore për të ndaluar ardhjen e zyrtarëve të rekrutimit.
Top Channel