Pse po distancoheni nga Ahmetaj, ku gaboi në Vlorë? Rama-gazetarëve: Ndryshimet për zgjedhjet vendore. Vijoni me përralla!

28/09/2022 13:38

Kreu i qeverisë ka komentuar sërish sot ndryshimet në drejtimin e qarqeve, një ndër to largimin e Arben Ahmetaj nga Vlora dhe zëvendësimin e tij atje me Blendi Klosin.

Rama i konsideroi këto ndryshime në kuadër të organizimit të zgjedhjeve vendore, për të cilën tha se organizimi është e drejtë e skuadrës dhe jo e spektatorëve.

Në përgjigje të gazetarëve, Rama i konsideroi përrallat zërat për një distancim të Ahmetajt duke paralajmëruar ndaj tij për inceneratorët apo shpallje non grata.

“Këto janë ato përrallat që thashë edhe dje. Ju jeni në të drejtën tuaj që t’i tregoni përralla popullit, duke kërkuar gjithmonë mbas çdo vendimi dhe mbas çdo hapi qëllime që nuk ekzistojnë. Jeni në të drejtën tuaj, nuk dua ta diskutoj. Kjo është diçka që nuk do të ndodhte 10 vite më parë, po ndodh fatkeqësisht edhe këtu edhe kudo në botë që në emër të lirisë së medias i jepet e drejta vetes për të spekuluar në dëm të personave deri në ekstrem dhe për ta kërdisur popullin, për ta kërdisur opinionin publik me lloj-lloj fantazish, me lloj-lloj përrallash, me lloj-lloj shpikjesh e gënjeshtrash që vijnë rëndom nga qëllimi për të shpifur, por vijnë dhe në rastet e tjera thjesht nga qëllimi për të bërë lajm. Është e drejta juaj, nuk di çfarë të them. Zoti i paftë të gjithë dhe Zoti u kujdestë për të gjitha. E vërteta e ka gjithmonë e më të vështirë të çajë rrugën në këtë botë ku sundon gënjeshtra dhe njerëzit që i qëndrojnë besnikë të vërtetave të tyre dhe që i qëndrojnë besnikë qëllimeve të tyre, e kanë gjithmonë e më të vështirë që të mbijetojnë qetësisht në një botë, e cila tregon një përrallë për çdo qëllim. Jo moj zonjë! Ne jemi në të drejtën tonë të bëjmë ndryshime organizative. I kemi bërë gjithmonë dhe njerëzit janë aty. Kanë lëvizur, lëvizin, këto s’kanë lidhje fare. Po është e drejta juaj, kush jam unë në fund të fundit apo jo?!”- u shpreh Rama

Pyetje: Bëhet fjalë për ish-numrin dy të qeverisë. Është një figurë e rëndësishme e Partisë Socialiste. Ka një distancim pothuajse total. Edhe qarku i Vlorës iu hoq. Çfarë gaboi Arben Ahmetaj?

Rama: Zonjë të lutem shumë, se si organizohet një skuadër është e drejta e skuadrës nuk është e drejta e tifozëve ose e spektatorëve. Spektatorët shohin ndeshjen dhe gjykojnë. Rezultatet do të tregojnë. Kështu çfarë do të thotë kjo? Pse duhet të ketë bërë diçka patjetër dikush që të lëvizi nga një pozicion? Pse duhet të ketë bërë patjetër diçka? Pse nuk është shumë më thjeshtë se kaq? Për arsye se secilit i duhet gjetur një pozicion ku të japi maksimumin në një betejë të re, bëhen dhe riorganizime dhe do bëhen dhe të tjera. Çfarë do të thoni prape pastaj, çfarë bëri ky, çfarë bëri ai?! Jo! do të shikojmë sipas nevojës së kësaj ndeshje. Organizimi bëhet për zgjedhjet vendore. Nuk ka lidhje fare me gjithë këto përrallat e tjera.

Top Channel