Shtrenjtimin e çmimeve me ndikim direkt në xhepat e shqiptarëve, kryeministri Edi Rama e quajti si një inflacion lufte.

Qeveria e detyruar për të zbutur efektet financiare të këtij inflacioni, vendosi rritje page për disa kategori.

“Angazhim për të mbështetur ata që janë më në nevojë, por edhe për të mbështetur ata që janë në krye të detyrës. Policia e Shtetit, nivelet bazë, inspektorët dhe niveli i mesmë të kenë një shtesë page. Respektivisht 15 dhe 7%, e njëjta gjë vlen për Gardën, për Policinë e Burgjeve, për zjarrfikësit, administratën publike dhe jo vetëm për nëpunësit në shërbimin civil, por edhe punonjësit mbështetës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.

Duke e vënë theksin tek krye-problemi europian dhe jo vetëm, energjia elektrike, kryeministri garantoi mos rritje çmimi për familjarët por pati edhe një apel.

“Duhet të kurseni“, u shpreh Rama.

Pavarësisht shqetësimit të BE-s, Edi Rama u shfaq i vendosur për ta çuar përpara amnistinë fiskale për emigrantët.

“Ne nuk jemi tërhequr, por vazhdojmë të diskutojmë dhe dëgjojmë për të sheshuar të gjitha keqkuptimet apo për të ekspozuar dëshirën për të mos kuptuar. Amnistia fiskale do të bëhet sepse e kërkojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve”, tha kryeminstri.

Pas mikpritjes të Ujgurëve në vitin 2006, Muxhahidinëve Iranian në 2016 dhe Afganëve vitin e shkuar, kryeministri Rama ofroi mikpritje edhe për të rinjtë rus që refuzojnë të bëhen pjesë e mobilizimit masiv ushtarak.

Top Channel