Meksika bastis kultin e ‘talibanëve hebrej’ që donin të arratiseshin në Iran si ‘besnikë të Ajatollahut’ (fotot)

28/09/2022 19:43

Një sekt ‘ekstremist’ hebre që jetonte në jug të Meksikës raportohet se tentonte të largohej drejt Iranit, para se komuniteti i tyre të bastisej nga forcat e sigurisë javës që shkoi.

Kompleksi i kultit ‘Lev Tahor’ pranë Tapachula, në jug të Meksikës u bastis në fundjavë nga policia federale, në bashkëpunim dhe me kërkesë të autoriteteve izraelite, madje edhe të agjentëve të Mossad, shkruan britanikja Daily Mail.

Dy liderët e sektit — të identifikuar si Menachem Mendel Alter e Moshe Joseph Rosner — u arrestuan me akuza trafiku njerëzor, ndërsa rreth 19 gra e fëmijë të grupit po mbahen në një kamp emigrantësh në Huixtla.

Një djalë tre vjeçar i grupit ishte bashkuar me babanë e tij Yisrael Amir, ish-anëtar i grupit Lev Tahor që po përpiqej të fitonte kujdestarinë e tij pas largimit disa vjet më parë.

Lev Tahor quhet nga Izraeli një “kult i rrezikshëm” i akuzuar për pengmarrje apo abuzime seksuale, ku gratë duhet të mbulohen nga koka te këmbët.

Ata refuzojnë stilin zionist- izraelit të jetesës dhe mediat i kanë demonizuar duke i mbiquajtur “talibanët hebrej”.

Zyrtarët në Meksikë të nxitur nga Izraeli vijuan planin e bastisjes, pas lajmeve se grupi donte të vendosej në Iran për t’u bashkuar me ish-anëtarë atje.

Grupi anti-Zionist ka kërkuar më parë azil politik në Iran dhe ka shpallur besnikëri për liderin e atjeshëm Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë një gjykatë federale në SHBA në 2019.

Një bastisje e ngjashme ndaj rreth 70 anëtarëve të grupit Lev Tahor që jetonin në Guatemala u krye muajin që kaloi, dhe prej atëhere sipas raportimeve ata janë deportuar në Turqi.

Idetë dhe planet e komunitetit nuk janë shumë të qarta por prej krijimit në vitet 1980, sekti është zhvendosur disa herë gjatë viteve, në Izrael, Kanada, Guatemala e Meksikë prej problemeve me autoritetet.

Gratë e fëmijët e ndaluar në fundjavë kanë pasaporta izraelite por refuzojnë të kthehen atje, shkruan e përditshmja Times of Israel.

FOTO GALERI
3/9
Një djalë tre vjeçar i grupit ishte bashkuar me babanë e tij Yisrael Amir, ish-anëtar i grupit Lev Tahor që po përpiqej të fitonte kujdestarinë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA