Furnizimet me karburante dhe grurë, Rusia nënshkruan marrëveshje me talebanët

28/09/2022 18:41

Talibanët nënshkruan një marrëveshje të përkohshme me rusët për furnizimin e Afganistanit me benzinë, naftë, gaz dhe grurë, njoftoi ministri i Tregtisë dhe Industrisë Haji Norudin Azizi.

Azizi tha se ministria e tij po punonte për të diversifikuar partnerët e saj tregtarë dhe se Rusia i kishte ofruar qeverisë talebane një zbritje në krahasim me çmimet botërore të mallrave.

Kjo është marrëveshja e parë e madhe ekonomike ndërkombëtare e talebanëve që kur ata u kthyen në pushtet një vit më parë, dhe kjo mund të ndihmojë lëvizjen islamike të lehtësojë izolimin që e ka shkëputur atë nga sistemi bankar global.

Asnjë vend nuk e njeh zyrtarisht grupin, i cili zhvilloi një luftë 20-vjeçare kundër fuqive perëndimore dhe aleatëve të tyre afganë përpara se të pushtonte Kabulin menjëherë pas tërheqjes së SHBA-së.

Vendet perëndimore paralajmërojnë talebanët se para njohjes duhet të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj të drejtave të njeriut, veçanërisht ndaj grave, dhe se duhet të dëshmojnë se kanë shkëputur lidhjet me grupet militante ndërkombëtare.

Talibanët nuk njihen zyrtarisht as nga Rusia, por Moska priti liderët e tyre përpara rënies së Kabulit dhe ambasada ruse është një nga të paktat e mbetura në kryeqytetin afgan.

Marrëveshja e sotme përfshin furnizimin me rreth një milion ton benzinë, një milion ton naftë, 500.000 ton gaz të lëngshëm natyror dhe një milion ton grurë në vit.

Ministri Azizi tha se marrëveshja do të ketë një periudhë prove pas së cilës të dy palët pritet të nënshkruajnë një marrëveshje afatgjatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA