Ndërtimet pa leje/ Rama: Jemi një me dhjetë në raport si ishim, shtesat do të përdoren për shërbime publike

27/09/2022 19:42

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama është ndalur për një bashkëbisedim me gazetarët, të cilat e kanë pyetur mbi tematika të ndryshme aktuale në vend. 

Një ndër çështjet që u diskutua ishte edhe për ndërtimet pa leje, ku kryeministri u shpreh se të gjitha shtesat që nuk janë të ligjshme do të kalojnë në përdorim të shtetit.

Pasi është akuzuar për lejimin e “kullave” në Tiranë, Rama tha se nëse do të ishte e vërtetë një gjë e tillë, nuk do të merrej vesh kurrë, pasi ai vetë e ka ngritur problematikën e ndërtimeve pa leje, e cila është përmirësuar ndjeshëm me nga ç’ka qenë.

“Nuk do të ketë më asnjë lloj ndërtuesi që do të kuturistët të ndërtojë një metër pa leje sepse do u kushtojë sa frëngu pulën, edhe pse jemi një me 10 krahasuar me kohën e mëparshme por prapë kjo nuk është arsye që të mos i luftojmë. Ata nuk do të kenë mundësi të lajnë duart me llumin. Ai llum që nuk ka kaluar akoma procesin e vettingut, nuk do të ketë më shans.

Nëse janë 26 kate dhe janë bërë 14 pa leje, sa do të jetë në total ajo godina, 40 kate. Ajo nuk është 40 kate e para e punës, e dyta unë nuk jam as inspektori i ndërtimit e as shefi i policisë e mbi të gjitha nëse sot ne jemi 1:10 në raport se si ishim me ndërtimet pa leje kjo vjen si rezultat i punës tonë. Burimi është në llumin e drejtësisë. Ajo që ne po bëjmë tregon krejt të kundërten. Ne nuk mund të bëjmë atë çfarë kanë bërë të tjerët më përpara.Ka subjekte që angazhohen në gara dhe marrin atë që ju takon. Po të ishte kjo lidhje ne do të bënim atë çfarë është bërë më përpara.

Problematika e ndërtimeve pa leje është një problematikë që ka qenë tmerri i këtij vendi, ekziston ende për fat të keq por shumë më pak. Ju do të shihni që këto metra katrorë pa leje do të merren nga shteti në një mënyrë apo në një tjetër dhe do të përdoren për shërbim publik.

Nëse kullat do i kisha lejuar unë apo Veliaj ju nuk do të merrnit vesh për këtë histori sepse këtë çështje nuk e ngritët ju por ne për një arsye shumë të thjeshtë sepse në të gjitha kullat nuk ka asnjë metër katror për mua dhe për ne.”- tha Edi Rama.

Top Channel