Për herë të parë, ndaj Martinajt është regjistruar një procedim penal në vitin 2013.

Një qytetar ishte ankuar pasi kishte fituar një bast. Por papritur koeificenti ishte bërë 1 dhe fitimi i tij ishte zeruar.

Referuar dëshmive të kohës, pika kontrollohej nga Martinaj përmes shoqërisë “Albania Baste Live”. Në vitin 2018 ai u dënua me 200 mije lekë gjobë për “organizim të llotarive të palejuara”.

Një hetim i ngjashëm u çel edhe në vitin 2018 kur Martinaj u plagos në masakrën e bllokut, ngjarje për të cilën do të zbulojmë detaje të papublikuara më parë pak më poshtë. Në atë kohë, ai u hetua edhe për pastrim parash.

Qarkullimi i parave mes kompanive familjare të Martinajt kapte vlerën mbi 1.5 milionë euro. Në fakt, dyshimet ishin se qarkullimi i vërtetë ishte dhjetëra milionë euro. Origjina e parave të përdorura për blerje pasurish apo transaksionesh bankare është e panjohur siç zbulohet në dosjen hetimore që Inside Story disponon.

“Ervis Martinaj prej vitit 2009 dhe në vijim ka blerë pasuri ne vlera te konsiderueshme. Mënyra e shlyerjes është CASH, burimi i të ardhurave është i papërcaktuar dhe nuk mund të justifikohet me burimet e ligjshme që ka ky shtetas.

Nëse analizojmë me vëmendje transaksionet e renditura në dosjen hetimore, shihet se për gjithçka Martinaj operonte cash.

Në prill të 2014 ai deklaroi se siguroi 10 milionë lekë nga shitja e aksioneve të “Albania Baste Live”. Blerësi në atë kohë ka deklaruar se paratë i siguroi nga biznesi i tij dhe të ardhurat e mbledhura ndër vite. Por nga informacionet e marra në sistemin tatimor, do të zbulohej se kjo ishte një skemë mashtrimi. Blerësi i identifikuar Kola Paluka, që sot ka ndërruar jetë, nuk kishte kryer kurrë një aktivitet tregtar. Ai figuronte i punësuar vetëm 5 muaj në shoqërinë “Albania Baste Live” të Martinajt siç zbulohet në dokumentet hetimore që Inside Story disponon.

Rrjeti i bizneseve të tij po shtohej me ritme të shpejta dhe në vitin 2012 ai çel shoqërinë ALBA Communication që pezulloi aktivitetin në vitin 2017.

Biznesi i radhës do të regjistrohej në emrin e nënës së tij, e regjistruar si pronarja e një Bar- Kafe në vitin 2012. Ajo që bie në sy nga të dhënat është se statusi i kësaj Bar-Kafeje është çaktivizuar më 16 gusht 2022. Pra vetëm 6 ditë pasi familja e Ervis Martinaj ka denoncuar zhdukjen e tij në polici.

E njëjta procedurë pezullimi u ndoq edhe për një tjetër biznes në emrin e nënës së tij që ishte themeluar në vitin 2013. Ndërkohë, në vitin 2018 çeli aktivitetin një kompani ndërtimi e cila rezulton në emrin e babait të Ervisit.

Ajo që bën përshtypje është fakti se të gjitha bizneset e stacionuara në Tiranë, kanë pasur si adresë rrugën “Him Kolli” në Tiranë.

Kjo, nuk është rastësi. Ajo zonë njihet si bastioni i bosit të krimit të organizuar Emiljano Shullazi, që sot ndodhet prapa hekurave për gjobëvënie, kërcënime dhe së fundi i akuzuar edhe për vrasje. Për ata që i njohin historinë, dihet afrimiteti që kanë pasur përherë Ervis Martinaj dhe Emiljano Shullazi. Kjo u bë publike në vitin 2017 kur Martinaj u denoncua se kërcënoi biznesmenin Ylvi Beqja për llogari të Shullazit që ndodhej në qeli.

Top Channel