Përkeqësimi i kushteve atmosferike ka përfshirë dhe gjirin e Durrësit këtë të hënë në mesditë.
Deti që regjistron një forcë prej 5-6 ballësh, tenton të rrisë dallgëzimin deri në 7 ballë në orët në vazhdim, ndërsa era fryn në drejtimin jug-jugperëndim.
Burime nga kapiteneria e Durrësit bëjnë me dije se kjo situatë nuk e ka prekur veprimtarinë përpunuese të portit detar dhe as lundrimet e anijeve të tonazhit të madh e të mesëm. Në kalatat portuale ndodhen 5 anije tregtare, 4 prej të cilave po shkarkojnë grurë, çimento, pleh kimik dhe konteinerë, ndërsa një tjetër po ngarkon 6500 tonë çimento.
Në mbrëmje pritet të mbërrijë një anije me 3.163 ton grurë rus. Edhe dy tragetet e linjës së Barit kanë mbërritur në kohë, ndërkohë që përkeqësimi i motit ka ndikuar vetëm në veprimtarinë e mjeteve të peshkimit, të cilat nuk kanë dalë sot në det. Të tjera kanë nxituar të kthehen nga gjuetia në port, në pritje të qetësimit të detit.
Top Channel