Peza për 2 ditë kthehet në qendrën e hipizmit, Veliaj: 2022 viti më i paharruar, numri i turistëve për herë të parë ka kaluar banorëve të Tiranës

25/09/2022 14:50

Për dy ditë me radhë, Peza Adventure Festival mblodhi këtë fundjavë admiruesit e hipizimit, por edhe sportistë profesionistë në aventurat sportive me kuaj, pak të praktikuar në vendin tonë, por me një histori të veçantë ndër vite.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në hapjen e festivalit, u shpreh se kryeqyteti gjithnjë e më shumë po kthehet në një pol shumëdimensional sa i përket sporteve, duke përmendur edhe triumfatorët, të cilët vetëm vitin e fundit i kanë dhënë Shqipërisë tre medalje ari.

“Kemi bërë progres në shumë disiplina sportive: Jemi kampionë europe në atletikë, jemi kampionë bote në mundje dhe në peshëngritje; tashmë, do të duhet të inkurajojmë edhe sportistët që ta bëjnë pjesë të refrenit tonë edhe sportin e hipizmit, të qenit afër me natyrën, jetën e shëndetshme,” u shpreh ai.

Tirana – tha Veliaj – është e mbushur si kurrë më parë me turistë, por edhe me mjaft aktivitete. “Para një jave kishim Festivalin e Nomadëve Digjitalë, pastaj festën e verës “Made in Tirana”,” tha ai, duke shtuar se së shpejti produktet dhe eventet lokale do kthehen në ‘brand’ për çdo lokalitet të Tiranës.

“Ashtu siç e kemi branduar Pezën me Festën e Pezës dhe këtë festival të aventurës, ashtu siç Shëngjergjin e identifikojmë me Festën e Domates së vonë, ashtu siç emri i Farkës fokusohet te prodhimi i verës dhe i rakisë, duam që këtë trend ta çojmë në të gjitha lokalitetet dhe periferitë e Tiranës. Nuk besoj se ka një vend si Tirana, e cila ndodhet strategjikisht afër detit dhe afër malit, e rrethuar nga e gjithë kjo kurorë,” theksoi ai.

Veliaj nuk la pa nënvizuar edhe numrin e madh të turistëve, që këtë vit kanë vizituar Tiranën, pikërisht të tërhequr nga ky ‘boom’ aktivitetesh.

“Ka qenë ndoshta viti më i paharruar i Tiranës, për sa i takon aktiviteteve. Për herë të parë, pa mbaruar viti, kemi kaluar numrin e turistëve krahasuar me numrin e banorëve. Nëse vazhdojmë me këtë trend, nëse hotelet i kemi plot, nëse restorantet, siç pashë duke ardhur në Pezë, i kemi plot, këto janë të gjitha para që lëvizin në ekonomi,” tha Veliaj.

Përmes këtij festivali Bashkia e Tiranës synon jo vetëm të rikthejë traditën e garave me kuaj, por dhe të promovojë vlerat natyrore e kulturore të zonës dhe rëndësinë që kanë soprtet e në veçanti hipizmi për shëndetin e njeriut.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA