32-vjeçari Liangbin Chen, që mbahet nën arrest shtëpie në Tiranë i kërkon drejtësisë shqiptare që mos ta dorëzojnë në Kinë mbasi atje i rrezikohet jeta.
Shqetësimin për persekutim e ngre avokati i tij shqiptar. Mbrojtja ka njoftuar organizatat e huaja për monitorimin e procesit ndaj Chen, i akuzuar për mashtrim kompjuterik që kap vlerën e një miliard yen kinezë apo ndryshe 147 milionë dollarë, por që sipas tij ai e braktisi Kinën gjatë 2018 për shkak situatës me pakicat fetare dhe etnike duke lënë gjithashtu edhe shtetësinë kineze e duke marrë atë kamboxhiane.
“Kemi njoftuar organizatat ndërkombëtare sepse jeta e klientit tim rrezikohet seriozisht”, tha Isuf Shehu.
Liangbin Chen u arrestua në Rinas dhe gjykata e Tiranës e dërgoi atë nën mbikëqyrje policore për arsye shëndetësore.
Çështja u kundërshtua nga prokuroria që ndërkohë thotë se po pret materialet e ekstradimit.
“Klienti im po vinte nga Londra dhe po të kishte qenë e tillë ai do ishte arrestuar atje, ne jemi të bindur se nëse ekstradohet do i nënshtrohet torturës dhe seancave të fshehta”, u shpreh Shehu.
Procesi për 32-vjeçarin që akuzohet se ngriti platforma online do të mbahet në Gjykatën e Apelit.
Top Channel