Humbja e hidhur e Kombëtares/ Reja vë në dukje gabimet, reagojnë dhe legjendat kuqezi

25/09/2022 20:46

Kombëtarja shqiptare humbi sërish me Izraelin në këtë edicion të Nations League, në një ndeshje ku ndëshkimi erdhi pikërisht nga gabimet individuale të futbollistëve tanë, që janë kthyer në diçka të zakonshme kohët e fundit.

Vetë trajneri Reja në intervistën e dhënë për SuperSport në Digitalb e pranoi këtë teksa tha se jemi vetë fajtorë, pasi ia komplikojmë vetë gjërat vetes. Padyshim italiani pranoi se Izraeli i vuri në vështirësi të tijtë, por peshën më të madhe për humbjen e mbajnë pikërisht gabimet individuale.

Zhgënjimi është i madh pas kësaj humbjeje pasi Kombëtarja e humbi përfundimisht shansin për vendin e parë në grup që do të ishte diçka fantastike pasi ky pozicion do të ngjiste kuqezinjtë në Ligën A të Nations League, do ta përfshinte në ajkën e futbollit evropian, por është Izraeli që e fitoi këtë të drejtë.

Për gjithçka ndodhi në Bloomfield Stadium të Tel Avivit reaguan edhe legjenda të kombëtares shqiptare si Ervin Skela apo Edvin Murati që bënë edhe apelin për vijim të mbështetjes së tifozëve kuqezi ndaj kombëtares edhe në sfidën në vijim

“Kombëtarja ka pasur dhe do të ketë një histori. jemi ne që duhet ta duam njësoj, në ditë të mira e të këqija. ndaj ky është momenti i duhur  që ta duam dhe të jemi më pranë ekipit kombëtar, sepse kështu respektojmë më shumë ngjyrat kuqezi. Kombëtarja kërkon mbështetjen tonë sot që ta duam edhe më shumë nesër. Të gjithë në stadium për ndeshjen me Islandën”, ishin këto fragmente nga mesazhi i gjatë inkurajues i Ervin Skelës i publikuar prej tij në rrjetet sociale.

Më i shkurtër, por jo më pak i fuqishëm ishte mesazhi i postuar në rrjetet sociale nga Edvin Murati.

“Forca Kombëtarja.të gjithë së bashku. Lojtarë e tifozë. me fitore ndaj Islandës”, shkruante Murati, një mesazh që e shoqëroi me foton e skuadrës sonë kombëtare dhe një koreografi domethënëse të tifozerisë kuqezi.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA