Zëvendësministri rus i Mbrojtjes shkarkohet nga detyra

24/09/2022 16:00

Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Dmitry Bulgakov, është shkarkuar nga detyra dhe është transferuar në “një post tjetër”, tha ministria e Mbrojtjes në Moskë më 24 shtator.

Ai do të zëvendësohet nga gjeneral-kolonel, Mikhail Mizintsev, i cili më parë mbante postin e kreut të Qendrës së Kontrollit të Mbrojtjes Kombëtare të Rusisë. Ushtria ukrainase tha se Mizintsev udhëhoqi rrethimin e portit të Mariupolit, gjë që i dha atij pseudonimin “kasapi i Mariupolit”.

Mariupoli u pushtua nga Rusia në fund të majit, pasi pjesa më e madhe e qytetit u shndërrua në gërmadha dhe mijëra civilë u vranë gjatë rrethimit. Udhëheqja ushtarake ruse nën drejtimin e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, është kritikuar së fundmi në qarqe të afërta me Kremlinin.

Rreth dy javë më parë, ushtria ruse ishte tërhequr nga rajoni lindor i Ukrainës, Harkiv, nën presionin e një kundërofensive ukrainase.

Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina ka rikthyer mbi 6.000 kilometra katrorë të territorit të pushtuar nga forcat ruse. Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA