Rusët kundërshtojnë rekrutimin e detyruar të shpallur në ushtri: Nuk është i pjesshëm por mobilizim 100% (fotot)

23/09/2022 19:13

Njoftimet për rekrutim raportohet se nisën t’i shkonin rusëve që plotësojnë kriteret, që prej mesnatës së djeshme.

Mësues shkollash ishin ngarkuar për të shpërndarë fletët dhe qendrat e rekrutimit merrnin të rinjtë brenda një ore, shkruan e përditshmja britanike The Guardian.

Gratë qanin teksa djemtë dhe burrat e tyre dërgoheshin ushtarë të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Dita e parë e mobilizimit ushtarak në Rusi që prej Luftës II Botërore, solli skena emocionale dhe protesta në pikat e rekrutimit.

Burimet thonin se qeveria po mendon të mbledhë shumë më tepër sesa 300,000 rekrutë të rinj që pretendonte ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu.

Një grua në fshatin e vogël siberian Zakamensky, tha se e dinte se po ndodhte diçka kur qentë nisën të lehin në mesnatë.

Kryetari i fshatit me rreth 450 banorë po shkonte shtëpi më shtëpi për të shpërndarë 20 fletë-njoftimet e rekrutimit.

Që mëngjesin tjetër, gruaja thotë se burrat u mblodhën, disa duke pirë vodka, të tjerë duke u përqafuar e duke i uruar të mirën njëri-tjetrit.

Gratë qanin dhe bënin shenjën e kryqit drejt furgonit që i merrte.

“Nuk është një mobilizim i pjesshëm, është 100% mobilizim,” tha Alexandra Garmazhapova, drejtuese e një grupi që raporton për rekrutimet, duke thënë se kishte identifikuar më shumë se 3,000 ‘povestka’, siç quhen fletëthirrjet e luftës, të dërguara në rajonin Buryatia, brenda 24 orëve pas njoftimit të Putin.

Megjithë deklaratat se do të kërkoheshin burra me eksperiencë në ushtria, aktivistët thonin se letrat po u vinin dhe burrave mbi 50-vjeçarë.

Yanina Nimayeva, gazetare nga Ulan-Ude në Buryatia, ankohej për fletë-thirjen e burrit të saj 38-vjeçar.

“‘Ne kemi pesë fëmijë, dhe ata përsëri e thirrën. Zyrtarët thanë se republika jonë duhet të nxjerrë 4,000 rekrutë, por disa parime të mobilizimit të pjesshëm duhen të respektohen,” tha Nimayeva në një video për drejtuesin rajonal.

Shumica e rekrutëve besohet se do të vijnë nga republikat e etnive minoritare ruse, të cilat edhe më parë kanë vuajtur nga rekrutimet e luftës.

Në Neryungri, qyteza e dytë më e madhe e Jakutisë, videot tregonin dhjetra burra që mblidheshin në stadiumin e Gornyak, teksa me autobuzë shkonin drejt qendrave të rekrutimit. Shumica e tyre dukeshin në të 30-at ose të 40-at.

“Ata kanë sjellë njoftimet për punonjësit e Kolmar e Mechel” (dy kompani minierash që operojnë në rajon), tha aktivisti që postonte videon.

Në Dagestan, një video tregonte njerëz që konfrontoheshin kundër mobilizimit në një qendër rekrutimi.

Zyrtarja ushtarake thoshte se i biri i saj ‘po luftonte në Ukrainë prej shkurtit’.

“Po luftoni për të ardhmen e fëmijëve,” thërriste zyrtarja e paidentifikuar para turmës në hyrje të ndërtesës. “Ne nuk kemi një të tashme, për çfarë të ardhme po flet?”, iu përgjigj një burrë nga turma.

Në Moskë qindra njerëz protestonin dje pas njoftimit të mobilizimit nga Putin.

Në Buryatia, aktivistët thanë se nuk e kuptonin pse rekrutimi po bëhej në mënyrë kaq agresive, teksa njoftimet u kishin ardhur dhe studentëve të universitetit.

Disa thonin se drejtuesit lokalë kërkonin të plotësonin kuotat e dërguara nga qeveria, të tjerë thonin se e bënin “si një dënim” ndaj rajonit te Buryatia. /The Guardian, Përgatiti: Andi Lamko/

FOTO GALERI
4/6
Rekrute te raportuar nga qytetaret

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA