“Lufta ndryshoi pritshmëritë e Bankës”, Sejko: Gati të ndërmarrim çdo veprim të nevojshëm për të stabilizuar inflacionin

23/09/2022 16:07

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, mori pjesë këtë javë në konferencën me temë “A është rikthyer inflacioni dhe në cilën formë?” të mbajtur pranë Instituti i Studimeve të larta, Gjenevë, Zvicër.

Konferenca e organizuar për të dhjetin vit radhazi në kuadër të programit BCC (Bilateral Assistance & Capacity Building for Central Banks) të shtetit zviceran, ka për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive mes pjesëmarrësve, të cilët përfaqësojnë bankat qendrore të vendeve partnere të këtij programi.

Diskutimet e kësaj konference u përqendruan në çështje të tilla, si: ndryshimi i ecurisë së inflacionit, roli i bankave qendrore në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, ndikimi i konfliktit në Ukrainë në zinxhirët e furnizimit në ekonomi. Konferenca shqyrtoi gjithashtu sfidat me të cilat përballen bankat qendrore në trajtimin e këtyre situatave të reja. Bankat qendrore, deri në vitin 2021, punonin për të mbajtjen e inflacionit në një nivel mesatarisht të lartë. Ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe strukturën e konsumit, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia së bashku me ndikimin e konfliktit në Ukrainë në çmimet e mallrave, kanë çuar në rritjen më të lartë të inflacionit që prej tre dekadash.

Kjo bën që misioni kryesor i bankave qendrore – ruajtja e stabilitetit të çmimeve – të marrë një vëmendje të veçantë dhe në këtë kontekst, ruajtja e besueshmërisë së tyre është e lidhur me aftësinë për të mbajtur inflacionin nën kontroll.

Guvernatori Sejko në këtë konferencë ishte i ftuar të merrte pjesë si folës në panelin me temë “Sa global është inflacioni?”. Gjatë diskutimit të tij, ai u shpreh se inflacioni i lartë aktualisht është një fenomen global, pasi faktorët, rreziqet dhe sfidat janë të ngjashme në të gjitha vendet.
Fillimisht, Guvernatori nënvizoi se globalizimi i avancuar ka rritur ndikimin e ndërprerjeve të furnizimit si ato të vërejtura kohët e fundit, veçanërisht nafta, gazi dhe energjia. Rrjedhojë e globalizimit është dhe ky mjedis me inflacion të lartë ushqyer gjithashtu nga kursimet e akumuluara gjatë bllokimeve të pandemisë, ndërsa konflikti Rusi – Ukrainë rriti paqëndrueshmërinë, pasigurinë dhe zvogëloi ofertën. Guvernatori Sejko u ndal më tej dhe në zhvillimet e ekonomisë shqiptare. Ekonomia u rikuperua shpejt nga goditjet negative të shkaktuara nga bllokimet dhe kufizimet ekonomike të lidhura me pandeminë, brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa fillimi i konfliktit Rusi-Ukrainë ndryshoi rrënjësisht pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë dhe perspektivën ekonomike, dhe çoi në rritje të inflacionit, nga 0.9% në tremujorin e parë të 2021 në një normë mbi objektivin prej 3.1% në tremujorin e fundit të 2021.

Banka e Shqipërisë ka reaguar nëpërmjet politikës monetare duke rritur normat e interesit 3 herë deri tani nga niveli më i ulët prej 0.5% në shkurt 2022 në 1.75% në gusht 2022, për të drejtuar pritjet inflacioniste dhe për të siguruar konvergimin e inflacionit me objektivin, brenda një perspektive afatmesme,

Në vijim Guvernatori Sejko theksoi se politika monetare në Bankën e Shqipërisë ka qenë dhe do të vazhdojë të drejtohet nga tre parime:
Së pari, Banka e Shqipërisë mbetet e përkushtuar për të ndërmarrë çfarëdo veprimi që kërkohet për të ruajtur qëndrueshmërinë e inflacionit.
Së dyti, pa cenuar stabilitetin e çmimeve, do të përpiqet të shmangë goditjet e panevojshme monetare të aktivitetit ekonomik, gjë që do të kërkojë një analizë të kujdesshme të prirjeve të çmimeve duke marrë parasysh kohëzgjatjen e gjatë të mekanizmit të transmetimit.
Së treti, Banka e Shqipërisë do të përpiqet të bashkërendojë politikën monetare me politikën fiskale.

Së fundi, Guvernatori nënvizoi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e kujdesshme për shëndetin e sistemit bankar dhe financiar duke u fokusuar në mbikëqyrjen bankare dhe në ndërmarrjen e politikave proaktive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA