Pas vendimit të qeverisë për mbylljen e shkollës private “Mehmet Akif Ersoy” ,me arsyetimin se kjo erdhi si rezultat i një sërë shkeljesh të legjislacioni në fuqi, nxënësit dhe përfaqësuesit e institucionit kanë organizuar një protestë pranë shkollës.
Sipas përfaqësuesve të institucionit ky veprim është i padrejtë, pasi shkolla prej dy dekadash, që nga viti 2004 vepron me cilësi dhe standartet më modern, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme nga kushdo.
Në deklaratën e tyre thuhet se e vërteta është se ndodhen para kësaj situate pa marrë asnjë shpjegim dhe e kanë shumë të vështirë që të kuptojnë një gjë të tillë, e aq më shumë tua shpjegojnë të tjerëve.
Ministrja e arsimit Evis Kushi, ka publikuar një njoftim në rrjete sociale në lidhje me këtë situatë, ku shpjegon se institucioni ka nisur procesin mësimor të këtij viti pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës dhe në këto kushte, ajo shpjegon se licenca duhet të revokohet.
Njoftimi i ministres Kushi:
Nisur nga interesimi dhe spekullimet në lidhje me shkaqet që çuan në heqjen e licencës dhe mbylljen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”, sqarojmë se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë.
1. Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.
2. Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.
3. Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.
Ministria e Arsimit dhe Sportit në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve. Prandaj, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.
Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekullimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi.
Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron të gjithë të interesuarit për këtë çështje, se në këtë fillimviti shkollor nuk janë vënë re raste të tjera shkeljesh të së njëjtës natyrë dhe kriteret e standardet ligjore janë të përmbushura për të gjithë nxënësit e tjerë të shkollave jopublike.
Deklarata e përfaqësuesve të kolegjit:
“Duke ju falenderuar për pjesëmarrjen tuaj, dëshirojmë t’Ju informojmë lidhur me urdhrin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në Republikës e Shqipërisë për mbylljen e aktivitetit të kopshtit jopublik “Zübeyde Hanım”, Tiranë. Kopshti jopublik “Zübeyde Hanım” është institucion i licencuar me Urdhërin e Ministrit Nr.67, datë 15.10.1998, me adresë në Rrugën e Kavajës. Ky institucion, që nga viti 2004 ka vazhduar veprimtarinë e tij me standarde më moderne dhe duke përfshirë të gjithë inovacionet teknologjike në mbështetje të procesit mësimor, në kompleksin arsimor parauniversitar jopublik “Turgut Ozal” me vendndodhje në ish-qytetin e nxënësve Tiranë. Gjatë kësaj periudhe 24 vjeçare, ky institucion ka ushtruar veprimtarinë e tij nën monitorimin e autoriteteve përkatëse në bashkëpunim korrekt me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si edhe institucioneve të tjera në varësi të saj, duke vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm.
Kjo cilësi dhe ky standard është lehtësisht i konstatueshëm, jo vetëm nga prindërit që na kanë besuar fëmijët për vite me radhë, por edhe për çdo të interesuar, qytetar të thjeshtë apo përfaqësues të medias, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë mjediset e tij nga afër. Pavarësisht reputacionit që gëzojnë institucionet tona arsimore në vend dhe më gjerë, me keqardhje të madhe theksojmë se gjatë muajve të fundit, kopshti “ Zübeyde Hanım” Tiranë , ka qenë papritur objekt i inspektimeve të shtuara të cilat nuk i përgjigjen asnjë plani monitorimi apo inspektimi nga organet në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ( MAS), të cilat kulmuan me miratimin e Urdhrit të Ministrit të Arsimit dhe Sportit nr.540, datë 15.09.2022 “Për mbylljen e veprimtarisë së institucionit privat të arsimit parauniversitar “Zübeyde Hanım” Tiranë”. Në raportet e inspektimit është konstatuar se ky kopsht përmbush të gjithë kriteret e ligjshmërisë si dhe është lënë rekomandim nga inspektorët marrja e miratimit për ndryshimin e vendndodhjes së kopshtit, në dukje një procedurë për t’ja përshtatur ligjit, gjë që ka gjetur mbështetjen dhe gatishmërinë e plotë të Shoqërisë Turgut Ozal për ta zbatuar. Në zbatim të rekomandimeve, kopshti jopublik “Zubeyde Hanim” në mënyrë të përsëritur ka aplikuar për marrjen e miratimit duke filluar nga data 16.02.2022. Pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe, me shkresën nr. 4004/5 Prot., datë 13.09.2022, MAS ka refuzuar kërkesën tonë për miratimin e ndryshimit të vendndodhjes, procedurë e cila është rutinë për këdo që ushtron aktivitet në Republikën e Shqipërisë. Duhet theksuar edhe njëherë se gjatë gjithë këtyre viteve, Kopshti Zubejde Hanëm ka qenë pjesë e vazhdueshme e rutinës së inspektimeve nga drejtoritë dhe institucionet përgjegjëse, ku në asnjërin nga këto procese nuk është sjellë asnjëherë në vëmendje një shqetësim i tillë, dhe aq më pak të konsiderohet si shkelje që të pasojë heqjen e lejes për ushtrimin e aktivitetit edukativ. Por e vërteta është që ne ndodhemi përpara një fakti të tillë, që e kemi shumë të vështirë ta kuptojmë dhe aq më pak t ia shpjegojmë gjithkujt.
Për sa më sipër, rrethanat na bëjnë të besojmë se jemi sjellë përballë një fakti të tillë nisur nga situata jashtë sferës së zbatimit të ligjit, të cilat nuk lidhen me arsimin. Dikur Viktor Hygo pati thënë se ai që hap derën e një shkolle mbyll dyert e burgut, prandaj kërkojmë nga Ministria e Arsimit që të rishikojë vendimin, pasi përballë ka institucione dhe individë që e dashurojnë arsimin dhe gjatë më shumë se dy dekadave kanë treguar se respektojnë në mënyrën më korrekte ligjet e Republikës së Shqipërisë. Ky vendim prek interesin dhe prish qetësinë e mbi 200 familjeve, që na kanë besuar sot fëmijët e tyre dhe vret shpresën e shumë të tjerëve që nesër do të duan të na i besojnë ata. Ky vendim vret shpresën e 35 mësuesve të përkushtuar maksimalisht. Por ne besojmë se Shqipëria mund të bëhet vërtet, sepse gjithçka që përmendëm, vlen më shumë se çdo trysni e jashtme që nuk ka të bëjë me realitetin Evropian të vendit tonë.
Ashtu siç jeni njoftuar, ne kemi depozituar të gjithë dokumentacionin pranë Gjykatës përkatëse për anullimin e këtij Urdhri, si dhe kemi njoftuar të gjitha institucionet e interesuara vendase dhe të huaja për situatën e krijuar. Duke besuar te demokracia dhe shteti ligjor në Republikën e Shqipërisë, shprehim vendosmërinë tonë për të ndjekur deri në fund rrugën ligjore me organet e drejtësisë në vend dhe më gjerë.Duke ju ftuar të ndiqni nga afër, kërkojmë mbështetjen Tuaj për ta bërë sa më transparent këtë proçes të vështirë por jo të pamundur. Sjellim në vëmendjen Tuaj se drejtuesit dhe stafi pedagogjik në të gjitha institucionet “Turgut Ozal” janë të vendosur në angazhimin e tyre për t’i trashëguar brezave të rinj përmes dritës së dijes, një të ardhme ku mbizotëron njerëzimi, paqja dhe dashuria për familjen dhe atdheun.”- thanë përfaqësuesit në konferencën për shtyp.
Top Channel