Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi ka mbrojtur sot pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin duke thënë se lideri rus “është nxitur” për të hyrë në konfliktin aktual, shkruan rrjeti britanik BBC.
85-vjeçari në prag të zgjedhjeve të së dielës, tha më tej se trupat ruse kishin si qëllim vetëm të zëvendësonin qeverinë me “njerëz të ndershëm” e më pas të largoheshin.
Tre herë ish-kryeministri italian njihet si mik dhe aleat i presidentit rus.
Në zgjedhjet e fundjavës partia e tij është nga favoritet për të ardhur në pushtet me koalicionin e djathtë në Itali.
Berlusconi shtonte në intervistën me televizionet italiane se raportimet për dhunën e Ukrainës në zonat lindore pro-ruse, e kishin lënë Rusinë e Putin pa zgjedhje tjetër, përveçse të ndërhynte me një pushtim të kufizuar.
Raportimet për sulme të Ukrainës ndaj popullatës pro-ruse në zonat lindore të Donbass kanë nisur që prej ndërrimit të pushtetit në vitin 2014.
“Putin është nxitur nga popullata ruse, partia e qeveria e tij për të nisur këtë operacion special,” tha Berlusconi.
“Trupat duhet të hynin në Kiev, të arrinin në Kiev brenda një jave, të zëvendësonin qeverinë e Zelensky me njerëz përsëmbari, dhe një javë më vonë të ktheheshin,” shtoi ai.
“Por ata gjetën një rezistencë të pallogaritur, e cila më pas nisi të ushqehej me armë nga të gjitha drejtimet në Perëndim”.
Liderë të tjerë opozitarë në Itali dënuan komentet e Berlusconi, teksa kreu i partisë centriste Carlo Calenda e akuzonte atë se po fliste si një “gjeneral i ushtrisë së Putin “.
Kurse Enrico Letta i Partisë Demokratike që çuditërisht përfaqëson ‘të majtën’ italiane, tha se nëse zgjedhjet e të dielës anojnë për të djathtën “personi më i lumtur do të ishte Putin”.
Më vonë Berlusconi tentonte të qartësonte komentet e tij, duke thënë se komentuesit i kishin “mbi-thjeshtëzuar ” ato, ose nxjerrë nga konteksti.
“Agresioni ndaj Ukrainës është i pajustifikueshëm e papranuneshëm, qëndrimi i partisë tonë [Forza Italia] është i qartë. Ne do të jemi gjithmonë me BE dhe Nato,” shtoi ai.
Berlusconi ka qenë mbështetës i Putin, dhe në 2012 u bashkua me të gjatë pushimeve me ski në rajonin rus Sochi.
Në prill ai dënoi pushtimin rus thënë se ishte “i trishtuar dhe i zhgënjyer” nga sjellja e Putin.
Sondazhet zyrtare tregojnë se koalicioni i djathtë me Fratelli d’Italia, Lega Nord e Forza Italia e Berlusconi-t, do të fitojë maxhorancën.
Top Channel