Rritja e çmimeve në Shqipëri ka ngadalësuar edhe blerjen e mjeteve motorike. Statistikat nga Drejtoria e Transportit Rrugor tregojnë se në 8 muajt e parë të vitit janë regjistruar rreth 41 mijë mjete të reja.

Por, krahasuar me një vit më parë janë gati 6 mijë  mjete më pak që kanë hyrë në përdorim në vend, një shenjë e qartë se kriza e çmimeve ka dobësuar sektorin e transportit.

Ulja më e madhe e mjeteve të regjistruara vjen nga autoveturat. Kështu janë 4 mijë makina më pak për të njëjtën periudhë ose një ulje me rreth 15% në krahasim me një vit më parë.

90% e makinave që vijnë në Shqipëri janë të përdorura, me vende origjine kryesisht nga Italia dhe Gjermania, ndërsa në vendin e tretë për dy vitet e fundit qëndron Zvicra. Tirana, Durrësi dhe Fieri janë qarqet, të cilat kryesojnë në regjistrimin e mjeteve.

Në treg makinat e përdorura po përjetojnë një rritje çmimi për shkak se kompanitë automobile po hasin shumë probleme me prodhimin e modeleve të reja. Prishja e zinxhirëve të furnizimi nga Kina ka shkaktuar mungesa në treg.

Ajo që vihet re këtë vit është se shqiptarët kanë filluar të hedhin sytë nga makinat elektrike. Edhe pse vetëm 3% e totalit, këtë vit ka më shumë regjistrime për makinat elektrike në 8 muaj, se sa totali i gjithë vitit të kaluar.

Në Shqipëri deri në fund të vitit 2021 ishin aktive 740 mijë mjete, me rritje nga 2020. Nëse do të marrim numrin e popullsisë së INSTAT prej 2.7 milion banorësh, në Shqipëri është 1 mjet motorik për katër persona. Ndërsa, për autoveturat raporti është 1 për 5 persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA