Presidenti i Ekuadorit tha sot se trupi i gjetur nga autoritetet është ai i avokates së re që u zhduk pasi shkoi të vizitonte shkollën e policisë ku punonte bashkëshorti i saj.
Ai identifikonte gruan si 34 vjeçarja María Belén Bernal, e cila u zhduk 10 ditë më parë kur shkoi të takonte bashkëshortin në shkollën stërvitore të policisë në kryeqytetin Quito.
Bashkëshorti i saj është i dyshuari kryesor i vrasjes, dhe tashmë është në arrati.
Vdekja e zonjës Bernal ka shkaktuar protesta në vendin ku ndodhin rreth 200 femicide në vit.
Zyrtarët thanë se trupi i saj u gjet në një kodër rreth 5 km larg kompleksit të shkollës policore.
Duke komentuar zbulimin, President Guillermo Lasso tha se lajmi sjell “dhimbje të thellë e indinjatë”, duke u zotuar se vrasja nuk do të mbetet pa ndëshkim.
Viktima ishte nënë e një djali të vogël.
Zonja Bernal u zhduk pasi hyri në impjant mesditën e 11 shtatorit.
Autoritetet kanë shkarkuar drejtorin e shkollës dhe ofrojnë $20,000 shpërblim për kapjen e bashkëshortit të zonjës Bernal, Lejtnant Germán Cáceres.
Ky i fundit u zhduk pak pasi dha një deklaratë për zhdukjen e të shoqes dhe më pas u shkarkuar nga puna si instruktor në shkollën e policisë.
Personi është objekt i kërkimeve të gjera, të nxitura nga zemërata e publikut për ngjarjen.
Vdekja e zonjës Bernal ka sjellë protesta nga të afërmit dhe grupet e mbrojtjes së grave në Quito.
Femicidi – siç quhet fenomeni i vrasjes së një gruaje për arsye të lidhura me gjininë e saj, ka shënuar rritje në Ekuador ashtu si në të gjitha vendet e botës, megjithë lëvizjet liberale për mbrojtjen apo fuqizimin e tyre.
OKB thotë se 65 në çdo 100 gra ekuadoriane kanë pësuar dhunë gjinore të paktën një herë në jetën e tyre.
Top Channel