Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li, në përfundim të vizitës së tij në Shqipëri, ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve afatgjata mes FMN-së dhe shtetit shqiptar.
Teksa ka falenderuar guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe ministren Ibrahimaj pas takimeve të zhvilluara mes tyre, Li tha se iu dha mundësia të mësonte më shumë për kushtet ekonomike dhe financiare të Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, ai tha se Shqipëria ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë goditjeve të shumta në vitet e fundit, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar.
“Ishte kënaqësi të bëja vizitën time të parë në Shqipëri si Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i FMN-së. Dëshiroj të falënderoj Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe zyrtarë të tjerë për mikpritjen e tyre të ngrohtë dhe për mundësinë që më dhanë për të mësuar më shumë për kushtet ekonomike dhe financiare të Shqipërisë.
FMN ka një marrëdhënie afatgjatë dhe produktive me Shqipërinë. E vlerësoj këtë mundësi që pata për të forcuar marrëdhëniet tona dhe kam theksuar mbështetjen tonë të vendosur për Shqipërinë. Largohem me ndjenjën e një miqësie dhe partneriteti të forcuar pas takimeve me autoritetet, që më lanë përshtypje me nivelin e tyre të lartë të angazhimit.
Shqipëria ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë goditjeve të shumta në vitet e fundit, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Autoritetet kanë reaguar shpejt ndaj këtyre goditjeve me politika duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara nga politikat më parë.
Në diskutimet e mia me autoritetet, theksova sfidat me të cilat përballet Shqipëria që vijnë si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, shtrëngimi i kushteve financiare dhe dobësimi i mjedisit të jashtëm. Është e nevojshme të mbështeten shtresat në nevojë nga presionet mbi koston e jetesës nëpërmjet politikave fiskale të mirëorientuara dhe të përkohshme.
Ne diskutuam gjithashtu politikat që duhet të ndërmerren për të inkurajuar potencialin e rritjes së Shqipërisë dhe konvergjencën e të ardhurave me BE-në dhe i kërkova autoriteteve të vazhdojnë me finalizimin dhe zbatimin e një Strategjie të shëndoshë Afatmesme të të Ardhurave”- thuhet në deklaratë.
Top Channel