Udhëzimet e reja të BE zbusin sanksionet ndaj importimit të qymyrit rus në vende ‘të treta’ (fotot)

21/09/2022 15:56

Një grup vendesh të Bashkimit Evropian kanë refuzuar udhëzimet e reja të organit ekzekutiv të BE duke argumetuar se dobësojnë sanksionet aktuale dhe mund të lejojnë transportin e mallrave ruse si për shembull qymyri, në të gjithë botën.

Rrjeti Bloomberg shkruan se zhvillimi vjen teksa vende anëtare si Polonia dhe disa vende të Balltikut kanë kritikuar udhëzimet e reja nga një takim i ministrave të BE dhe kanë kërkuar që publikimi i tyre të pezullohet deri në qartësimin e çështjes.

Sipas udhëzimeve të reja nga krahu ekzekutiv i BE, Komisioni Evropian, duhet lejuar lëvizja e disa mallrave të caktuara, si për shembull qymyri dhe nënproduktet e tij drejt vendeve te tjera, “për të luftuar pasigurinë e energjisë dhe ushqimit në botë”.

Më parë komisioni kishte thënë se ndalohej transferimi i qymyrit dhe shërbimet e tjera si ato financiare e të sigurimeve për mallrat që vinin nga Rusia.

Disa vende anëtare thonin se udhëzimet e reja nuk ishin të koordinuara me to prandaj është ngritur një ankesë për rishikim, sidomos me artikuj që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore.

“BE është e përkushtuar që sanksionet e saj të mos ndikojnë negativisht për mallrat bazë në vendet e tjera jashte BE”, tha zëdhënesi i KE Daniel Ferrie duke saktësuar se sqarimi ka të bëjë me kimikate të përdorur si fertilizues, mallra energjitike dhe disa mallra specifike esenciale.

“Financimi dhe ndihma e operatorëve të BE për transportin drejt vendeve të treta për mallra të tilla si produktet e përmendura, është gjithashtu i lejuar”, shtonte Ferrie në deklaratë.

Qymyri dhe nënproduktet e tij ishin të theksuara në udhëzimin e Komisionit.

Më herët BE kishte pranuar të mos sanksiononte produktet esenciale bujqësore, sipas saj për të kundërshtuar propagandën ruse se sanksionet po rrisnin çmimet e ushqimeve ne bote.

“Asnjë nga sanksionet e BE nuk shënjestron tregtinë e Rusisë me vende të treta jashtë BE,” shtonte Ferrie duke thënë se ndalimi importit të qymyrit drejt BE mbetet në fuqi.

FOTO GALERI
2/3
Disa vende anëtare thonin se udhëzimet e reja nuk ishin të koordinuara me to prandaj është ngritur një ankesë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA