Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka organizuar për herë të parë në Ballkanin Perëndimor konferencën rajonale “Qytetet Inteligjente”, si një nxitje për të shtuar në qytetet e rajonit investimet në teknologjitë e sigurta inteligjente, dhe për të modernizuar shërbimet publike.
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço deklaroi gjatë konferencës se një nga efektet anësore pozitive ka qenë që një nga gjigandët e teknologjisë po diskutohet që tani të vijë në Shqipëri.
Ai shtoi se duhet të forcohet bashkëpunimi mes sektorit publik e privat dhe se Bashkitë kanë nevojë për decentralizim të rregullave fiskale.
Deklarata e plotë:
“Sapo përfunduam Konferencen rajonale për qytetet inteligjente me kryetaret e bashkive te vendeve te rajonit dhe përfaqësues të kompanive globale tech. Ka qenë një koordinim i Dhomës Amerikane të Tregtisë, ambasadës amerikane, departamentit të shtetit dhe departamentit të tregtisë, dhe atij të energjisë por gjithashtu edhe me institucione të tjera. Në konkluzion ne patëm disa mesazhe;
Në radhë të parë një mesazh, për kompanitë globale të cilat i ftuam ta shikojnë Shqipërinë si pjesë të një tregu të Ballkanit Perëndimor, i cili është gjithmonë në rritje, ka një popullsi prej rreth 20 milionesh, një prodhim të brendshëm bruto prej 100 miliardë dollarësh dhe është një treg i cili po i afrohet standardeve të komunitetit europian. Një nga efektet anësore pozitive për ne ka qenë që një nga gjigandët e teknologjisë po diskutojnë që tani të vijë në Shqipëri , është herët për të përmendur emra por po i diskutojmë.
Mesazhi i dytë ka të bëjë me Kryetarët e Bashkive edhe me bashkitë. Mendojmë që disa nga punët që ata kanë bërë deri tani kanë qenë të jashtëzakonshme por kanë disa sfida për të kaluar. Një nga këto është sfida e financimit, ne mendojmë se doli shumë qartë – që nga konkluzionet e konferencës ishte që bashkitë, pushteti vendor ka nevojë për një decentrailizim të rregullave fiskale në mënyrë që ata të kenë një pavarësi më të madhe fiskale dhe për këtë ne i mbështesim por i inkurajojmë që të punojnë drejtpërdrejtë me kompanitë globale në një mënyrë të tillë që të krijojnë projekte interesante për bashkitë e tyre.
Konkluzioni i tretë për ne është që duam të forcojmë gjithmonë e më tepër bashkëpunimin midis sektorit publik dhe privat. Ne jemi të qartë që ky është një bashkëpunim i nevojshëm në lidhje me qytetet inteligjente, në lidhje me financimin dhe krijimin e projekteve ineresante për bashkitë. Dhe e fundit, puna për ne sapo filloi – për herë të parë në Tiranë do zhvillohet takimi rajonal i dhomave amerikane të tregtisë. Takim të cilin duam ta shtrijmë në një mënyrë periodike – kemi shumë gjëra për të diskutuar në lidhje bashkëpunimin ekonomik rajonal. Faleminderit”
Top Channel