Centrali bërthamor i Zaporizhjas u vu gjatë natës nën shënjestrën e zjarrit rus, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në objekt, njoftoi agjencia shtetërore ukrainase përgjegjëse për këtë central.
Zaporizhja është qytet në juglindje të Ukrainës, ku ndodhet centrali më i madh bërthamor në Evropë. Kontrolli i këtij centrali është marrë nga forcat ruse pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Në një deklaratë më 21 shtator, operatori shtetëror bërthamor ukrainas, Enerhoatom, tha se granatimet kishin dëmtuar pajisjet e reaktorit të vetëm funksional – njësia numër 6 – në uzinë.
“Për shkak të humbjes së energjisë, u aktivizuan në mënyrë emergjente të dy gjeneratorët me naftë të sistemeve të sigurisë, që garantojnë funksionimin e pompave të ftohjes së karburantit”, tha Enerhoatom.
Radio Evropa e Lirë shkruan se luftimet përreth centralit kanë rritur shqetësimet për një fatkeqësi të mundshme bërthamore.
Rusia ka akuzuar Ukrainën se po tenton që të marrë me forcë kontrollin e centralit, por këto akuza janë hedhur poshtë nga Kievi.
Ukraina dhe Perëndimi e akuzojnë Rusinë për vendosjen e armatimeve të rënda në central, duke e ditur se Ukraina nuk do të përgjigjet me zjarr. Moska i mohon këto akuza dhe u ka rezistuar thirrjeve për çarmatosjen e zonës me qëllim që të shmanget një katastrofë mjedisore.
Top Channel