Qeveria dhe pushteti vendor kanë thelluar borxhet e pashlyera në 6-mujorin e parë të vitit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, stoku i detyrimeve të prapambetura arriti në 15 miliardë lekë në fund të qershorit apo 129 milionë euro, gati 20 milionë euro më shumë se krahasuar me fundin e vitit të shkuar.
Megjithatë, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë stoku i detyrimeve të pashlyera për investime e punë publike ka shënuar rënie.
Pjesa më e madhe e detyrimeve i përkasin pushteti qendror, ku me nivelin më të lartë të borxheve rezultojnë Ministria e Infrastrukturës, ministria e Mbrojtjeve, dikasteri i Financave si dhe Ministria e Brendshme.
Borxhet e akumuluara janë kryesisht mospagesa në kohë për vendimet gjyqësore, për kontratat e punëve publike si dhe një pjesë e tyre edhe për mospagesën e kontributeve shoqërore e shëndetësore të punonjësve.
Ndërkohë me gjithë porosinë e qeverisë drejtuar bashkive për të ulur nivelin e detyrimeve të prapambetura si një mënyrë për të shmangur vendosjen e një administratorit të përkohshëm në krye të njësive problematike, në pjesën e parë të vitit ka ndodhur e kundërta.
Sipas të dhënave të Financave deri në fund të qershorit 61 bashkitë e vendit kanë akumuluar mbi 60 milionë euro, duke u zgjeruar në raport me fundin e vitit të shkuar.
Tirana rezulton edhe bashkia me nivelin më të lartë të borxheve të pashlyera me mbi 1.4 miliardë lekë detyrime, ndjekur nga bashkia e Kavajës dhe Vorës që janë edhe dy njësitë bashkiake në krizë financiare.
Top Channel