Sapo ka nisur në gjykatën e Apelit Durrës seanca për çështjen penale ndaj shtetasve rusë Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33 vjeçe dhe 25-vjeçari ukrainas Fedis Alpatov të akuzuar për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

Që në fillim të seancës avokati i shtetasit ukrainas deklaroi se kërkon përkthyes të gjuhës amtare për klientin e tij dhe jo përkthyes të gjuhës ruse.

I arrestuari Alpatos i pyetur nga gjykata deklaroi se nuk e kupton mirë përkthyesen nga rusishtja, duke mbështetur kërkesën e avokatit të tij Saimir Vishaj.

Relatori Florian Kalaja konstatoi se pretendimi i personit nën hetim dhe mbrojtjes së tij është më shumë një pengesë proceduriale nga ana e mbrojtjes se një nevojë komunikimi dhe e rrëzoi kërkesën e avokatit.

“Nuk mund t’ju lejoj që ju të deklaroni se kjo është lojë e avokatit.”– reagoi Saimir Vishaj, duke theksuar se me këtë qëndrim vendimi i gjykatës është vendosur paraprakisht.

Ai i kërkoi gjyqtarit që të revokojë vendimin e ndërmjetëm, gjë që nuk u pranua nga gjyqtari. Mbrojtja e shtetasit ukrainas ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Elbasanit, datë 24 gusht, duke kërkuar detyrim paraqitjeje dhe mundësinë e lëvizjes jashtë vendit për të vijuar studimet master në Varshavë.

Vishaj deklaroi se është arbitrare t’i mohohet gjuha amtare dhe t’i flitet në rusisht kur i vëllai është gjymtuar nga sulmet ruse në Ukrainë. Sipas Vishajt, autorësia e goditjes ka një emër, atë të Mikhail Zoren, ndërsa klienti i tij pasi ka ardhur nga Durrësi ka kontaktuar në Instagram me dy shtetasit e tjerë dhe kanë vendosur të lëvizin me makinën luksoze bashkarisht.

Edhe dy shtetasit rusë kanë kërkuar të njëjtën masë sigurimi personal, atë të detyrimit për paraqitje pranë policisë gjyqësore. Vishaj kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë ndaj klientit dhe t’i zhvillojë online studimet e masterit.

Me kërkesë të prokurorit gjyqtari vendosi ta vijojë seancën ndaj shtetasve rusë dhe ukrainas me dyer të mbyllura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA