Shqipëria është më dobët se vendet e rajonit në kërkimin shkencor. Kjo konstatohet lehtësisht, mjafton të shohim se sa fonde arrin të thithin universitetet shqiptare nga fondet e BE-së.
Referuar censusit për shkencën të përgatitur nga ministria e arsimit, niveli i suksesit të projekteve të universiteteve shqiptare apo organizmat e tjerë për periudhën 2007-2013 të paraqitur në programin e BE-së FP7 është vetëm 14.4%, me një fond total të përfituar prej 2.36 mln euro.
Që prej vitit 2014, Shqipëria aplikon në programin e shkencës dhe inovacionit “Horizon 2020” që mbështetet nga BE me rreth 80 mln euro.
Gjatë viteve 2014-2016, universitetet, institutet dhe qendrat kërkimore në vend janë përpjekur të marrin pjesë e të përfitojnë nga ky program. Por, të dhënat dëshmojnë se Shqipëria ka nivele të ulëta të pjesëmarrjes e përthithjes së fondeve. Të dhënat janë negative edhe përkundrejt vendeve të tjera të Ballkanit.
Të dhënat e Komisionit Europian tregojnë se gjatë periudhës 2014-2016 që përkon me 2 vjecarin e parë të Programit Kuadër të BE Horizon 2020 kanë aplikuar gjithsej rreth 50 organizata nga Shqipëria me 140 projekte. Në fund, vetëm 6 prej tyre janë kualifikuar fitues, për një vlerë prej rreth 330.000 euro nga rreth 30 mln euro të kërkuara. Të dhënat e ofruara nga komisioni Evropian tregojnë se në total Shqipëria nuk udhëheq asnjë projekt të “Horizon 2020” që është një projekt mirëfilli kërkimi shkencor. Në total nga 381 aplikime të bëra nga institucionet shqiptare dhe organizata, vetëm 37 prej tyre kanë fituar grante nga programi “Horizon 2020’, me një vlerë prej 3.55 milionë euro. Një shifër kjo shumë herë më e vogël se disa vende të rajonit si Maqedonia që përfitoi 5.3 mln euro apo Serbia që arriti të merrte 60 milionë euro.
Gjatë së njëjtës periudhë, Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit pagoi 2.97 milionë euro, në formën e taksës për të marrë pjesë në këtë program.
“Shteti shqiptar nga këto fonde të BE-së ka investuar më shumë se ka përfituar që është një tregues që sa poshtë jemi me kërkimin shkencor. Ekspertët mendojnë se një pjesë të madhe të fajit për situatën ku janë zhytur universitetet shqiptare, është e qeverisë. Sipas tyre sa kohë që shteti është punëmarrësi më i madh dhe nuk vendos në punësimet asnjë kriter cilësie, atëherë universitetet ofertës së deformuar nga tregu”, u shpreh studiuesi Taulant Muka.
Një tjetër e dhënë interesante nga ky program është edhe ai që ka të bëjë me numrin e personelit shkencor. Sipas këtij programi Shqipëria është sërish në fund të listës. Vendi ynë ka 262 persona në fushën e kërkim-zhvillimit për 1 mln banorë ndërsa vendet fqinje si Maqedonia dhe Mali i Zi përkatësisht 754 dhe 847 persona.
I njëjti studim zbulon se universitetet dhe institucionet e tjera kërkimore në Shqipëri po ballafaqohen me një mungesë totale infrastrukturore në zhvillimin e shkencës, ndërsa mungon edhe infrastruktura e thjeshtë si laboratorët, zyrat dhe bibliotekat.
Edhe vetë Ministria e Arsimit pranon se pothuajse të gjitha standardet e një mësimdhënie cilësore, kërkimit shkencor real e efecient, mjediset e laboratorët, bibliotekat, librat mësimorë e botimet akademike etj., janë të mangëta, për mungesë fondesh. Si pasojë e këtij nënfinancimi universitetet janë shndërruar pothuajse totalisht në struktura formale mësimdhënëse. Referuar ligjeve çdo profesor që udhëheq doktoraturën paguhet me rreth 2 milionë lekë të vjetra, ndërsa kur e merr titullin fiton një rritje page prej 15-18 mijë lekësh.
Top Channel