Gledis Nano , ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, sot ka qenë kryefjala e hakerave iranianë. Grupi Home Land Justice ka publikuar komunikimet sekrete të Nanos me partnerët ndërkombëtare për çështje delikate.

Publikimi i këtyre të dhënave sipas ekspertëve të IT-së, kalon kufirin e cenimit të të dhënave personale, kësaj here vendoset në rrezik siguria kombëtare.

“Sulmi ka ndodhur si në rastin e AKSH-IT nëpërmjet Melserverit exchange, që është shërbim i Microsoft-it dhe më pas ka marrë akses në infrastruturat e tjera, e gjitha kjo ka ndodhur sepse të gjithë infrastrukturat kanë qenë në të njëjtin domain. Në rastin e sistemit TIMS duke qenë se është një sistem i mbyllur dhe teknikisht është shumë e vështirë për të marrë informacione. Sulmi ka tentuar që të thyej sistemi tonë të mbrojtjes, duke rrëzuar kodet duke depërtuar në brendësi të tij, duke mbledhur informacion dhe më pas duke i përdorur ato”, thotë ekspertja e IT-së, Esmeralda Kazia.

Në 10 shtator, Shqipëria u përball me sulmin e dytë kibernetik, kësaj herë ishte sistemi TIMS. Në atë kohë, reagimi i kreut të qeverisë, Edi Rama erdhi nëpërmjet një postimi në “Twitter”, ku sipas tij hakerat e cilësuar si hajdutë, kishin hyrë në serverat qeveritar shqiptarë, por që nuk kishin vjedhur asgjë:

“Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin, fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash”.

Publikimi i emaile-ve sekrete, shenjave të gishtërinjve të qytetarëve shqiptarë, dhe historiku i llogarisë bankare të Gledis Nanos, tregoi të kundërtën.

“Dihet që zakonisht të dhënat në të tilla raste të dhënat publikohen në momentin që ti nuk ke më nevojë për to. Pra ato e humbasin vlerën kur publikohen”, shpjegon Erion Demiri.

“Kjo është një dëshmi për të treguar  që ne realisht i disponojmë këto të dhëna, sepse në sistemin TIMS arrin që të ruhen  të dhënat e qytetarëve ashtu sikurse në rast se dikush ndërron emër, mbiemër, pamjen. Të gjitha këto ndryshime arrijnë të pasqyrohen në pasaportën e mëparshme dhe janë pjesë e TIMS-it”, thotë Kazia.

Por a do të ndalet ushtria kibernetike e Iranit? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep ekspertja e IT-së, Esmeralda Kazia:

“Mund të kemi përshkallëzime të sulmit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA