Dhjetra protestues bastisën sot një prej hyrjeve të Pallatit të Drejtësisë në kryeqytetin Beirut, mes krizës së rëndë ekonomike në vend dhe bllokimit të tërheqjeve nga bankat e vendit.
Të tjerë aktivistë kërkonin lirimin e njerëzve të përfshirë në pengmarrjet e bankave për tërheqjen e parave të tyre, teksa disa rrugë ishin bllokuar në kryeqytet dhe në qytetin port të Tripoli.
Inflacioni ka goditur rëndë ekonominë e vendit dhe kriza ka shkaktuar protesta anti-qeveritare dhe disa pengmarrje të bankave nga depozitues që u ndaloheshin tërheqjet.
Ka pasur një seri incidentesh javët e fundit ku njerëz me armë të vërteta ose të rreme kanë mbajtur peng bankat duke kërkuar kursimet e tyre të bllokuara.
Sot në Pallatin e Drejtësisë në Beirut, dhjetra njerëz rrëzuan një portë hekuri duke protestuar për arrestimin e dy personave që morën me forcë paratë e tyre nga bankat.
Më shumë se gjysma e libanezëve jetojnë tashmë në varfëri sipas OKB dhe vendi ka kërkuar ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Një delegacion i FMN erdhi sot në Liban për caktimin e kushteve të huasë dhe zbatimin e reformave që kërkohen me të.
“Ka pasur progres të ngadaltë në implementimin e disa prej reformave kritike që kërkohen nga programi”, tha javës që shkoi përfaqësuesi i FMN, Gerry Rice.
Mes krizës ekonomike, depozituesit libanezë nuk arrijnë të marrin kursimet e tyre në valutë të huaj, teksa kufizimet bankare kanë ardhur duke u ashpërsuar prej vitit 2019.
Top Channel