DASH ka dhënë disa sqarime të mëtejshme rreth ndihmës ushtarake prej një miliard dollarësh që u paralajmërua më herët për 17 vende europiane.
Nga kjo shumë, 23 milionë shkojnë në Mal të Zi për forcimin e sektorit të mbrojtjes. Nuk dihet ende se sa para do të marrin vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë gjithashtu në listë me përjashtimin e vetëm të Serbisë, e cila duket nuk do të përfitojë asnjë qindarkë nga bujaria e SHBA-së.
Nga Departamenti amerikan i Shtetit thanë se kjo ndihmë, e cila i ndahet edhe Ukrainës, tregon përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara “për të ardhmen e Ukrainës si një shtet demokratik, sovran dhe i pavarur, si dhe për sigurinë e aleatëve dhe të partnerëve në të gjithë rajonin”.
Më 8 shtator, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, prezantoi paketën e re të ndihmës prej 2.2 miliardë dollarësh, e cila përveç Ukrainës, do t’u ndahet edhe 17 vendeve të tjera. Kievi, përmes këtij programi të njohur si “Foreign Military Financing”, do të marrë një miliard dollarë, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet mes vendeve të tjera.
“Lista përfshin shumë nga aleatët tanë të NATO-s, si dhe partnerë të tjerë rajonalë të sigurisë, që janë në rrezik potencial nga agresioni i ardhshëm rus”, tha Blinkenpërmes një deklarate. Reuters, më vonë, përcolli dhe pohimet e një zyrtari të Departamentit amerikan të Shtetit, i cili tha se pjesa tjetër e parave do të ndahej midis Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut etj.
E njëjta gjë u konfirmua një ditë më vonë në Tëitter nga misioni amerikan në NATO. Gjëja e parë që duhet kuptuar, thotë Bruno Lete nga Fondi Gjerman Marshall, me seli në Bruksel i cituar nga REL, është se në Ballkanin Perëndimor ka tensione të shtuara dhe kërcënime për dhunë. Në sytë e Shteteve të Bashkuara, thotë ai, “shumë nga rreziqet e sigurisë lidhen me Rusinë”.
“Ekziston bindja se presidenti Putin dhe Kremlini po luajnë një rol në rajon, që është i dëmshëm për sigurinë. Unë mendoj se ekziston një dëshirë në Shtetet e Bashkuara, dhe gjithashtu në kontekstin e NATO-s, për t’i rritur përpjekjet në rajon”, shprehet Lete.
Top Channel