Erjon Xhenje, 19 vjeç është viktima e radhës në qytetin e Shkodrës.
Mbrëmjen e se dielës, ai po konsumonte një pije në tavolinën në hyrje të një lokali në lagjen “Naim Gjylbegu”, në zonën e njohur si “Rruga e Gjanë”. Rreth orës 20:10 minuta, dyshohet se kanë qenë dy persona, me motor, të cilët janë afruar duke qëlluar disa here ndaj 19-vjeçarit.
Më pas, ata janë larguar me shpejtësi nëpër rrugica, në drejtim të lagjes “Guerrile”. Plagët kanë qenë të renda dhe i riu ka ndërruar jetë në vend, ndërsa kanë shpëtuar pa u lënduar personat e tjerë në lokal.
Policia e Shkodrës, e vendosur pak metër më larg në stadiumin “Loro Borici”, ku sapo kishte përfunduar ndeshja mes Vllaznisë dhe Kastriotit, mbërriti në vendin e ngjarjes por autorët ishin larguar. Një motor dhe një arme zjarri tip pistolete u gjetën duke u djegur rreth 500 metër larg zonës ku ndodhi krimi, në lagjen “Guerrile”.
Uniformat blu ngritën grupe kontrolli, ndërsa ekspertet kanë marrë në mbikëqyrje edhe kamerat e sigurisë, në zonë nëse do të mund të arrijnë identifikimin e autoreve të vrasjes se Erjon Xhenje. 19-vjeçari nuk rezulton të këtë patur probleme me drejtësinë.
Top Channel