Një tërmet i fuqishëm ka goditur bregun juglindor të Tajvanit më 18 shtator, tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara. Nga dridhjet e tokës është shembur të paktën një ndërtesë, duke shtyrë Japoninë që të lëshojë paralajmërim për cunami.

Tërmeti ndodhi në orë 02:44 sipas kohës lokale, rreth 50 kilometra në veri të qytetit Taitung, me një thellësi prej 10 kilometrash, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së.

Tërmeti fillimisht u regjistrua si tërmet prej 7.2 shkallësh, por më pas u tha se ishte 6.9 shkallësh të Rihterit.

Të paktën një ndërtesë kolapsoi në qytetin Yuli, tha agjencia tajvaneze, Central News Agency.

Videot e postuara nga kjo agjenci shfaqën banorët duke ikur nga ndërtesa, teksa e gjithë zona u mbulua nga re pluhuri.

Dridhjet e tokës janë ndier edhe në kryeqytetin e Tajvanit, Tajpei, raportoi AFP.

Një tërmet prej 6.6 shkallësh goditi të njëjtin rajon të shtunën dhe që atëherë ka pasur edhe dridhje pasuese që kanë shkaktuar dëme minimale. Por, tërmeti i së dielës ishte shumë më i fuqishëm.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi një paralajmërim për cunami, duke këshilluar për kujdes banorët në ishujt afër Tajvanit.

Japonia tha se pritet që valët e detit të arrijnë lartësi deri në një metër. Megjithatë, nga pamjet e publikuara në televizione, në ishujt e prekur nga tërmeti nuk u panë valë të larta.

Ndërkaq, Qendra për Tërmete e Kinës tha se dridhjet e tokës u ndien edhe në zonat detare kineze, përfshirë në Fujian, Guangdong, Jiangsu dhe Shangai.

Tajvani vazhdimisht goditet nga tërmetet pasi ky ishull gjendet pranë vendit ku bashkohen dy pllaka tektonike.

Ishulli gjendet pranë “Unazës së Zjarrit” të Paqësorit, zonë me aktivitet të shtuar sizmik që shtrihet në Azinë Juglindore dhe përgjatë pellgut Paqësor.

Tërmeti më vdekjeprurës në Tajvan u regjistrua në shtator të vitit 1999. Nga ky tërmet prej 7.6 shkallësh të Rihterit u vranë mbi 2.400 persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA