Serbia zotohet se do të ndjekë penalisht “huliganët” pas marshit të LGBT-së

18/09/2022 18:36

Zyra e Prokurorit në Beograd të Serbisë tha se do të bëjë gjithçka që të identifikojë dhe ndjekë penalisht ata që shkaktuan dhunë gjatë marshimit të EuroPride, që zyrtarisht ishte i ndaluar që të mbahej.

Zyra e Prokurorit tha se do të punojë “për të përcaktuar të gjitha rrethanat e rëndësishme ndaj sulmeve të anëtarëve të Ministrisë së Brendshme… sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, por edhe ndaj disa pjesëmarrësve të ngjarjes së EuroPride-it”.

Në deklaratë u tha se autoritetet e drejtësisë do të punojnë me Ministrinë e Brendshme për të identifikuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit për dhunën, dhe disa prej të tyre u cilësuan si “huliganë”.

Ministria e Brendshme serbe më 13 shtator njoftoi zyrtarisht se do të ndalonte mbajtjen e Javës së EuroPride, që kulmon me marshin në rrugët e Beogradit. Të njëjtën masë tha se e ka marrë edhe ndaj protestave të paralajmëruara.

Arsyeja e ndalesës u tha se ishte për shkak të “rrezikut nga dhuna, shkatërrimit të pronës dhe formave të tjera të prishjes së rendit publik në shkallë të gjerë”.

Por, aktivistët e komunitetit LGBT, megjithatë marshuan në rrugët e Beogradit. Në këtë marsh morën pjesë 1.000 aktivistë dhe rreth 6.000 policë u dislokuan për të mbajtur rendin. Gjatë marshit, policia u përlesh me grupet e djathta, që kishin dalë për të kundërshtuar marshin.

Organizatorët e EuroPride-it po ashtu u përballën me kundërshtime të mëdha nga Kisha Ortodokse Serbe.

Më 18 shtator u raportua për disa incidente. Autoritetet thanë se protestuesit kundër marshit të LGBT-së hodhën shishe drejt policisë, duke tentuar që të pengonin ecjen e aktivistëve.

Zyrtarët serbë thanë se 87 persona janë ndaluar, ndërkaq ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, njoftoi se ndaj 11 prej të ndaluarve janë iniciuar raste penale.

Protesta e grupeve fetare dhe të krahut të djathtë në Beograd më 17 shtator.

Protesta e grupeve fetare dhe të krahut të djathtë në Beograd më 17 shtator.

Para mbajtjes së marshit, organizatorët thanë se kishin marrë garanci nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, se rrugët e Beogradit do të ishin të sigurta.

Pas marshit, Bërnabiç u tha gazetarëve se “policia bëri punë të mirë”, duke shtuar se ndihet krenare që forcat e rendit arritën të shmangnin “incidente serioze”.

Po ashtu pas marshit, Vulin insistoi se ndalesa për mbajtjen e kësaj ngjarjeje ishte respektuar dhe se personat që ecën në rrugët e Beogradit vetëm “u shoqëruan për në një koncert”.

Ai po ashtu se 13 zyrtarë policorë u lënduan dhe u dëmtuan pesë makina policore gjatë përleshjeve me protestuesit.

EuroPride promovon krenarinë e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve e transgjinorëve në nivelin panevropian, dhe që nga viti 1992 organizohet nga një qytet i ndryshëm evropian çdo vit./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel