Rriten remitancat! Në 6 muajt e parë, emigrantët dërguan 376 milionë euro, shifra më e lartë prej 2010

18/09/2022 19:39

376 milionë euro kanë dërguar emigrantët te të afërmit e tyre vetëm në pjesën e parë të vitit. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar që prej vitit 2010 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. 

Në raport me 6-mujorin e vitit të kaluar statistikat zyrtare tregojnë se emigrantët po sjellin më shumë para në vend pasi u rritën me 36 milionë euro.

Prurjet emigrantëve janë një burim i rëndësishëm të ardhurash për shumë familje shqiptare veçanërisht në këtë periudhë krize të tejzgjatur çmimesh , para që i përdorin për të mbuluar nevojat bazike për ushqim, medikamente apo për kryerjen e pagesave të tjera.

Edhe këtë periudhë, sipas raportit të bankës qendrore ka vijuar rënia e përdorimit të kanaleve formale përmes të cilave emigrantët sjellin paratë, duke ulur dërgesa përmes bankave apo me operatorët e sistemit të transferimit të parave.

Një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve preferojnë ti sjellin vetë ato si pasojë e lëvizjes së tyre drejt atdheut ç’ka bën që rrjedhimisht të rriten edhe dërgesat në cash.

Pjesa dërrmuese e dërgesave të emigrantëve janë nga shqiptarët që jetojnë në Itali e Greqi, dy vendet me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë atje, por edhe nga shtete të tjera si Gjermani apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vitin e kaluar sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë prurjet e emigrantëve arrit në 7 61 milion euro, duke shënuar rritje krahasuar me vitin 2020 si pasojë e krizës së pandemisë ku shumë shtete ku jetojnë e punojnë shqiptarët ishin nën efektin e masave kufizuese.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA