Sanksionet perëndimore do të dëmtojnë ekonominë e Rusisë. Më të fuqishmit janë më pak të përfolurit, shkruan The Economist
Kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, “Oleg”, shef ekzekutiv në një linjë ajrore ruse, u përgatit për turbulenca. Nuk vonoi shumë dhe ato ndodhën. Brenda pak ditësh, vendet perëndimore ndaluan hyrjen e avionëve të firmës së tij në hapësirën e tyre ajrore.
Ato gjithashtu ndaluan eksportet e pjesëve të avionëve dhe gjysmëpërçuesve në Rusi. Ky ishte një problem, pasi tre të katërtat e flotës tregtare të vendit, vijnë nga Amerika, Europa ose Kanadaja dhe pjesët e këmbimit nevojiten për riparime. Shumë analistë parashikuan se industria do të përmbysej përpara verës.
Në fakt, linjat ajrore kanë arritur të qarkullojnë avionët e tyre dhe të mbajnë të hapura linjat e mundshme. Por ato nuk do të jenë në gjendje të sfidojnë përgjithmonë gravitetin. Disa kanë filluar të marrin pjesë këmbimi nga avionët që nuk ngrihen për fluturim. Oleg pret që shumë avionë të mos fluturojnë brenda një ose dy vjetësh.
Kjo rënie e vonuar, por e rrezikshme e aviacionit rus, ilustron fuqinë tinëzare të sanksioneve perëndimore. Që nga shkurti, Amerika dhe aleatët e saj kanë lëshuar një arsenal të jashtëzakonshëm, në përpjekje për të shtypur ekonominë ruse, të 11-tën më të madhe në botë, duke shpresuar të ndalojnë përpjekjet e luftës, të nxisin njerëzit dhe plutokratët që të protestojnë dhe të pengojnë armiqtë e tjerë (veçanërisht Kinën) për të bërë tentativa të ngjashme.
Disa sanksione, si ngrirja e aseteve të miqve të Kremlinit, janë taktika të vjetra në një shkallë të re. Ato që synojnë të heqin Rusinë nga sistemi financiar, si përjashtimi i bankave tregtare nga sistemi SWIFT, janë metoda të reja. Një lloj i tretë, ndalimet gjithëpërfshirëse të eksporteve, kishin synuar më parë firma të vetme, jo një shtet të tërë.
Megjithatë, dënimet e njëpasnjëshme (BE-ja miratoi paketën e shtatë në korrik), nuk e kanë rrafshuar fortesën e Rusisë. Ndërsa çmimet e gazit po rriten, kostot politike të sanksioneve po rriten gjithashtu.
A po e humbet Perëndimi luftën ekonomike?
Jo. Ashtu si me industrinë e aviacionit, do të duhet kohë që dëmi të materializohet. Rusia, një vend me borxh të jashtëm të ulët dhe rezerva valutore, nuk kishte gjasa që t’i nënshtrohej kaq shpejt një sulmi financiar. Edhe kur sanksionet kanë qenë më të suksesshme në të kaluarën, si atëherë kur e detyruan Libinë të braktiste armët e shkatërrimit në masë në vitin 2003, për këtë janë dashur vite.
Për të vlerësuar se sa efektiv po rezulton arsenali i Perëndimit, “The Economist” ka renditur një treshe masash – ngrirjen e aseteve të oligarkëve, sanksionet financiare dhe kufizimet tregtare – në një shkallë nga e padobishme, deri në shumë të dëmshme. Analiza jonë tregon se ato, me kalimin e kohës, do të fillojnë të dëmtojnë seriozisht ekonominë ruse.
Sanksionet më pak efektive janë ato që kanë fituar më shumë publicitet: futja në listën e zezë të personave që konsiderohen të afërt me Kremlinin. World-Check, një firmë të dhënash, llogarit se 1,455 anëtarë të elitës kleptokratike të Rusisë, tani nuk janë në gjendje të udhëtojnë në disa ose të gjitha vendet perëndimore, ose të kenë akses në zotërimet e tyre atje.
Asetet e ngrira përfshijnë depozitat bankare dhe letrat me vlerë, të ruajtura në llogaritë e bankave perëndimore. Ato përfshijnë edhe prona luksoze të manjatëve, si vilat e fshatit, klubet e futbollit, bizhuteritë dhe jahtet, të sekuestruara nga policët nëpër brigjet anembanë planetit.
Shënjestrimi i oligarkëve është një qasje tërheqëse për qeveritë që duan të duken sikur po bëjnë diçka. Ky veprim gjithashtu i jep Rusisë pak mjete të drejtpërdrejta për hakmarrje. Manjatët perëndimorë nuk kanë shumë zotërime në Rusi; shumë firma amerikane dhe europiane kanë hequr investimet e tyre nga Rusia.
Prandaj, ligjvënësit perëndimorë po kërkojnë fuqi më të mëdha. Departamenti Amerikan i Drejtësisë dëshiron të përdorë ligjet antimafie për të likuiduar asetet e sekuestruara dhe për t’ia ofruar këto para Ukrainës. BE-ja po propozon ta bëjë shkeljen e sanksioneve një krim, gjë që do të forconte zbatimin e tyre në të gjithë bllokun.
Megjithatë, shumica e aseteve të shënjestruara nga Perëndimi përfundojnë duke u anashkaluar. Anders Aslund, ish-këshilltar mbi qeverinë ruse dhe ukrainase, llogarit se nga 400 miliardë dollarë asete që janë bllokuar “në letër”, vetëm 50 miliardë dollarë janë ngrirë deri tani.
Oligarkët i kanë fshehur disa nga thesaret e tyre pas kompanive guaskë nëpër Ishujt Cayman, Jersey dhe parajsa të tjera fiskale, me dokumente të redaktuara në shumë gjuhë. Të tjerë i mbajnë nën kontroll asetet, duke e transferuar pronësinë te të afërmit, ose duke vendosur persona “kukull” në bord.
Humbja e shansit
Ndërkohë, zbatimi i këtyre sanksioneve u lihet në dorë kujdestarëve privatë të aseteve, nga menaxherët zviceranë të pasurive, e deri te marinat në St. Tropez, të cilave shpesh u mungojnë mjetet, apo dëshira për të hetuar thellësisht gjithçka. Bankat e mëdha shpesh refuzojnë të lëvizin fondet në emër të subjekteve të dyshimta, nëse zbulohet se të paktën 25% e tyre kontrollohen nga rusë (pragu ligjor është 50%).
Megjithatë firmat më të vogla financiare-teknologjike janë më pak të zellshme; kompanitë që pritet të monitorojnë asetet fizike, si menaxherët e porteve, në përgjithësi, nuk kanë njohuri. Një mospërputhje e ngjashme ekziston midis juridiksioneve. Amerika, kohët e fundit, qortoi Zvicrën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe se nuk kanë bërë sa duhet për të zbuluar shmangësit e sanksioneve.
Nuk është e qartë nëse ngrirja e aseteve të tilla e pengon shumë ekonominë e Rusisë. Shumica e oligarkëve kanë pak ndikim politik. Një ish-shef ukrainas i energjisë mendon se Vladimir Putini, presidenti i Rusisë, nuk e ka problem humbjen e pasurive të tyre. Ndërkohë, përpjekjet për konfiskimin e aseteve dhe dërgimin e të ardhurave në Ukrainë, nuk kanë pasur efekt të madh.
Masat financiare, lloji i dytë i sanksioneve, synojnë “qendrat nervore” të ekonomisë ruse: huadhënësit tregtarë dhe bankën qendrore. Të parët janë përballur me një shkallë ndalimesh, në varësi të madhësisë dhe afërsisë së tyre me Kremlinin.
Sanksionet e tregut të kapitalit, lloji më i butë i sanksioneve, i pengojnë investitorët perëndimorë që të blejnë, ose të shesin bono apo aksione të emetuara nga 19 banka ruse. Dhjetë huadhënës, duke përfshirë dy më të mëdhenjtë për nga asetet, janë përjashtuar nga sistemi SWIFT, të cilin më shumë se 11,000 banka e përdorin globalisht për pagesa ndërkufitare.
Njëzetegjashtë banka nuk mund të lehtësojnë më transfertat ndërkombëtare në Dollarë Amerikan, pasi qeveria amerikane, i ndaloi bankat e veta që t’u ofronin atyre shërbime “korrespondente-bankare”.
Masa të tilla kanë kafshuar ekonominë ruse. Hulumtimet nga Stefan Goldbach dhe kolegët në Bundesbank, tregojnë se, midis 1 shkurtit dhe 30 prillit, pezullimet e shpejta shkaktuan kolaps pothuajse total të transfertave të parave midis bankave ruse të përjashtuara dhe degës gjermane të Target 2, sistemit për pastrimin e pagesave ndërmjet bankave të Eurozonës.
Alternativat e tjera përveç SWIFT, si Telex, janë të ngathëta dhe të ngadalta. Ndalimet për bankat korrespondente janë gjithashtu të fuqishme. Jo vetëm që Dollari përdoret drejtpërdrejt për të shlyer rreth 40% të tregtisë ndërkufitare, por ai gjithashtu shërben si një vendtakim për shumë transaksione, që përfshijnë monedha të nivelit të dytë.
Megjithatë, sanksionet financiare nuk kanë arritur të pengojnë shumicën e pagesave. Bankat që përpunojnë blerjet voluminoze të karburantit rus nga Europa, veçanërisht Gazprombank, lejohen ende të përdorin SWIFT. Pjesa tjetër po kanalizohet ligjërisht, përmes bankave më të vogla që mbeten të lidhura me rrjetin.
Të operosh pa dollarë është më e ndërlikuar. India, e cila ka konsumuar naftë ruse që nga shkurti, është ende në kërkim të një mënyre praktike për ta paguar atë në monedhën rupi.
Por rritja e vëllimit të pagesave që kalojnë përmes sistemit kinez CIPS, tregon se Kina ka më shumë fat. Vëllimet e tregtimit në çiftin e monedhave juan-rubla në Bursën e Moskës, kanë arritur rekorde kohët e fundit.
Ngrirja e rezervave të mbajtura nga Banka Qendrore e Rusisë (CBR) në Perëndim, vlera e të cilave përbën rreth gjysmën e totalit prej 600 miliardë dollarësh, ka pasur rezultate të ngjashme të përziera. Brenda disa orësh nga shpallja e masës, vlera e rublës kundrejt monedhës së gjelbër, ra me më shumë se 30%.
Ndërsa Banka Qendrore rriti normat e interesit për të ndalur rënien, nga 9.5% në 20%, kredia e brendshme u shtrëngua, duke dëmtuar kërkesën dhe duke e shtyrë Rusinë në recesion. Në qershor, sanksionet e penguan bankën qendrore që të përpunonte 100 milionë dollarë në pagesa.
Megjithatë, vetëm brenda disa javësh, rubla nisi të rimëkëmbej, duke e lejuar Bankën Qendrore të ulte shpejt normat e interesit në 8%, më 25 korrik. Kursi zyrtar i këmbimit nuk pasqyron oreksin e vërtetë për monedhën: kontrollet e kapitalit mbeten kryesisht në fuqi.
Por gjendja tregon se ende ka një të metë në planin origjinal të Perëndimit. Ndërkohë që rezervat e huaja të Bankës Qendrore ruse në dollarë dhe euro mbeten të palejueshme, Rusia po fiton valutë të re e të fortë çdo ditë, falë eksporteve gjigante të naftës dhe gazit. Kjo do të thotë se nuk ka nevojë të marrë hua.
Kjo na çon te kufizimet tregtare, një tjetër masë me efekte të përziera. Veprimet për të frenuar të ardhurat e Rusisë nga eksporti i naftës, të cilat vitin e kaluar kontribuuan në 36% të buxhetit të saj federal, kanë marrë më shumë vëmendje sesa meritojnë.
Amerika nuk importon më naftë ruse, por ajo gjithsesi blinte pak edhe më parë. BE-ja është zotuar të ndalojë blerjen e naftës së papërpunuar nga Rusia në dhjetor dhe të naftës së përpunuar në shkurt. Ajo tashmë po blen më pak: 2.4 milionë fuçi në ditë në korrik, krahasuar me 2.9 milionë fuçi para lufte.
Por shumica e këtyre fuçive tani po blihen nga India dhe Kina, megjithëse me një zbritje prej rreth 25 dollarësh, në krahasim me standardin Brent të çmimit të naftës së papërpunuar, 101 dollarë. Asnjë embargo nuk është planifikuar për gazin rus, i cili është më i vështirë për t’u zëvendësuar dhe sjell më pak se 10% të të ardhurave të Kremlinit.
Nuk mund të thuhet me siguri, nëse Rusia po fiton më pak tani sesa do të kishte fituar pa praninë e sanksioneve. Firma e konsulencës Rystad Energy, mendon se shteti do të humbasë deri në 85 miliardë dollarë të ardhura nga taksat e naftës dhe gazit këtë vit, nga një fitim i mundshëm prej 295 miliardë dollarësh, për shkak të zbritjes së çmimit.
Por gjithsesi, është pikërisht kërcënimi i një embargoje perëndimore që i ka mbajtur çmimet globale të naftës në nivele kaq të larta. Capital Economics, një tjetër firmë konsulence, vlerëson se Rusia e ka shitur naftën me një çmim mesatar prej 85 dollarësh për fuçi që nga muaji shkurt, çmimi më i lartë që nga viti 2014.
Dhe në kundërshtim me pritshmëritë e hershme, Rusia po vazhdon të eksportojë pothuajse po aq naftë sa ka eksportuar në vitet e fundit.
Çfarë pritet të ndodhë
A mund të ndryshojë kjo kur të hyjë në fuqi ndalimi i importeve të BE-së në muajt e ardhshëm? Gjetja e blerësve të rinj për të blerë 2.4 milionë fuçi në ditë që tashmë nuk i dëshiron blloku, do të jetë e vështirë.
Për më tepër, duke filluar nga 31 dhjetori, kompanitë e sigurimit të Bashkimit Europian dhe ato britanike, të cilat mbizotërojnë tregun e transportit të naftës, nuk do të lejohen më që t’u shërbejnë anijeve që transportojnë mallra ruse.
Kjo mund të jetë një pengesë e madhe. Shumë porte dhe kanale mund të mos lejojnë kalimin e anijeve, nëse nuk mbulohet rreziku i derdhjeve të naftës. Reid l’Anson of Kpler, një firmë të dhënash, mendon se fërkime të tilla do ta detyrojnë Rusinë që të ulë prodhimin me 1.1 milionë fuçi në ditë deri në fund të vitit 2022, ekuivalente me rreth 14% të eksporteve të vitit të kaluar.
Megjithatë, mendohet se Europa mund të vonojë ndalimet nëse dimri pritet të jetë shumë i ashpër. Tregtarët e mallrave thonë se, me ulje të tilla, do të ketë gjithmonë blerës. Kina dhe India mund të vetësigurohen; Rusia ka thënë se do të ofrojë risigurim.
Nëse eksportet e saj të naftës pakësohen vërtet, tregu është aq i ngushtë sa që çmimet mund të kapin majat, duke e eliminuar fare ndikimin negativ mbi Rusinë. Amerika, duke e kuptuar këtë, po përpiqet të bindë aleatët të vendosin një kufi çmimi për naftën ruse – diçka që mund të jetë e vështirë për t’u zbatuar.
Tregtarët në hije në Bahrejn ose Dubai, mund të bëjnë mashtrime për të siguruar vëllime më të mëdha. Rusia mund të hakmerret, duke ndalur naftën për një periudhë të shkurtër, duke provokuar një rritje të çmimeve dhe duke ushtruar trysni ndaj Perëndimit që ai të tërhiqet.
Përballja me pasojat
Sanksionet më të fuqishme janë ato më pak të përfolurat: këto janë kontrollet e eksportit. Që nga shkurti, qeveritë perëndimore e kanë bërë të detyrueshme që një sërë industrish vendase të kërkojnë licenca përpara se t’i shesin Rusisë, dhe këto licenca jepen rrallë.
Kufizimet shkojnë përtej produkteve “me përdorim të dyfishtë” (ato me aplikime ushtarake dhe tregtare, si dronët dhe lazerët), duke përfshirë edhe kompletet e avancuara si çipat, kompjuterët, softuerët dhe pajisjet e energjisë. Ato synojnë edhe mallra të teknologjisë së ulët, si kimikatet dhe mallrat e zakonshme, që zakonisht kufizohen vetëm nëse transportohen për në Iran, ose Korenë e Veriut.
Gjerësia e sanksioneve të tilla është e jashtëzakonshme. Megjithatë, ajo që e bën Amerikën veçanërisht të ashpër, është “Rregulli i Produkteve të Huaja Direkte” (FDPR), i cili i shtrin kontrollet jo vetëm te produktet e prodhuara në Shtetet e Bashkuara, por edhe tek ato të huaja të prodhuara, duke përdorur softuerë dhe mjete amerikane, ose që përmbajnë inpute amerikane.
Kur Amerika e parandaloi kompaninë kineze Huawei të blinte gjysmëpërçues të avancuar, kjo gjë e goditi keq firmën, edhe pse fabrikat në Amerikë përbëjnë vetëm 15% të kapacitetit global të prodhimit të çipave. Këtë herë, Amerika pretendon se eksportet globale të çipave në Rusi janë ulur me 90% që nga viti i kaluar.
Ky është një lajm i keq për sektorin e prodhimit të vendit, i cili ka nevojë për inpute të importuara. Putini është përpjekur shumë që nga viti 2014 për të izoluar sistemin financiar të Rusisë ndaj sanksioneve perëndimore – duke ulur përdorimin e dollarit në tregtinë e saj, duke diversifikuar rezervat e Bankës Qendrore dhe duke zhvilluar rrjete pagesash brenda vendit – por e njëjta gjë nuk është e vërtetë për industrinë e vendit, e cila ka mbetur e varur nga rendi tregtar global, edhe pse më pak se vendet e tjera.
Çipa dhe komponentë të tjerë elektronikë nga 70 firma të ndryshme amerikane dhe europiane, janë gjetur në armët ruse. Industritë e tjera, nga minierat te transporti, kërkojnë pjesë këmbimi dhe ekspertizë të huaj për të kryer mirëmbajtjen.
Një furnizues gjerman për metronë e Moskës llogarit se, nëse i ndalon së ofruari shërbimet, rrjeti do të kishte ndërprerje brenda një muaji dhe do të paralizohej pas tre muajsh. Rusia gjithashtu ka nevojë për softuerë dhe pajisje të veçanta për të prodhuar produkte të reja, nga elektronika e konsumit, deri te makinat elektrike.
Disa efekte janë tashmë të dukshme, edhe pse kontrollet e eksportit filluan me vonesë. Prodhimi i manifakturës ra me 7% midis dhjetorit dhe qershorit, me në krye prodhimin e makinave (që pësoi rënie prej 90%), ilaçeve (25%) dhe pajisjeve elektrike (15%).
Në maj, Rusia lehtësoi standardet e sigurisë për të lejuar prodhimin e makinave pa airbag dhe pa frena, kundër bllokimit. Mungesa e kompletit të teknologjisë së lartë ka penguar përhapjen e rrjetit 5G në Rusi. Kampionët e teknologjisë Cloud të vendit, si Yandex, një firmë interneti dhe Sberbank, huadhënës, po zgjerojnë me vështirësi qendrat e të dhënave.
Mungesa e çipave po pengon lëshimin e kartave të reja plastike për sistemin e pagesave të brendshme. Mungesa e anijeve të specializuara mund të pengojë planet e shpimit në Arktik; mungesa e teknologjisë dhe njohurive të huaja mund të ngadalësojë nxjerrjen e naftës dhe gazit. Industritë bazë, si minierat dhe përpunimi i metaleve, gjithashtu kanë rënë.
Rusia po përpiqet të kundërluftojë
Më parë, ajo përdori tregun e paautorizuar gri për të marrë pajisje teknologjike dhe ushtarake perëndimore, shpesh nga rishitës në Azi dhe Afrikë.
Në qershor, ajo shkoi më larg, duke legalizuar importet “paralele”, pra duke i lejuar firmat ruse të sjellin mallra, si serverë dhe telefona, pa pëlqimin e markës tregtare zotëruese. Artem Starosiek nga Molfar, një firmë e inteligjencës ukrainase, thotë se ka pasur një bum në “turizmin e kartave të kreditit”.
Tregtia midis vendeve perëndimore dhe fqinjëve të Rusisë, si Gjeorgjia dhe Kazakistani, është rritur me shpejtësi që nga koha e pushtimit.
Megjithatë, është e vështirë që një ekonomi e tërë të drejtohet me mallra kontrabandë, veçanërisht kur disa prej tyre janë të pakta ngado. Firmat kineze, të cilat zakonisht furnizojnë një të katërtën e importeve të Rusisë, kanë qenë të ngadalta në ndihmë, pasi edhe ato kanë frikë se mos humbasin qasjen në produktet thelbësore perëndimore. Edhe Huawei ka kufizuar lidhjet me Rusinë.
Mungesat do të zgjasin dhe efektet do të ndërlikohen me kalimin e kohës, ndërsa konsumimi dëmtohet dhe kalbja po përhapet nga një industri në tjetrën. Rezultati do të jetë degradimi i ngadaltë dhe i rëndë i ekonomisë ruse.
Degradimi do të ndërlikohet nga efektet e sanksioneve. Konstantin Sonin nga Universiteti i Çikagos mendon se disa qindra mijë rusë – shumë prej tyre tepër të aftë – janë larguar nga vendi që kur ndodhi pushtimi. Më shumë se 1200 firma të huaja janë zotuar të largohen nga vendi, sipas studiuesve në Universitetin Yale.
FMN parashikon që norma e rritjes së vendit në vitet 2025-2026, do të jetë përgjysmuar, krahasuar me vlerësimet para shpërthimit të luftës.
Për sa kohë që Amerika dhe aleatët e saj vazhdojnë me sanksionet, shtylla kurrizore industriale e Rusisë, forca intelektuale dhe lidhjet ndërkombëtare të saj, do të zbehen, dhe në të ardhmen, vendin e pret një produktivitet i ulët, mungesë risie dhe inflacion strukturor. Ekonomistët gabuan kur parashikuan rënie të menjëhershme. Sidoqoftë, Rusia ka marrë një biletë pa kthim për në askund./ MONITOR
Top Channel