Erzeni vazhdon të befasojë admiruesit e futbollit shqiptar. Skuadra shijakase arriti të fitojë edhe ndaj Laçit në një ndeshje që ishte në kufijtë e surreales teksa pati një moment pauze të detyruar për shkak të ndërprerjes së energjisë në stadium.
Në Niko Dovana, Erzeni arriti të marrë 3 pikët pasi mposhti kurbinasit 1-0 duke ia shtuar telashet këtyre të fundit. Për më tepër Erzeni vendos edhe një rekord për Abissnet superiore në këtë sezon teksa e çon në 5 numrin e ndeshjeve pa pësuar gol.
Në pjesën e parë Laci arriti të shënojë një gol që u anulua nga arbitri meta pas ndërhyrjes së VAR dhe skuadrat shkian në pushimin e ndeshjes me barazimin 0-0. në pjesën e dytë u pa një lojë e rivalizuar nga të dyja ekipet, por 15 minuta nga fundi një defekt në sistemin elektrik bëri që ndeshja të ndërpritej për disa minuta, kohë kjo që u rikuperua pas minutës së 90. Ishin pikërisht minutat shtesë kur Erzeni gjeti golin e fitores me Amir duke ruajtur statusin e skuadrës ende të pamposhtur të kampionatit.
Nuk pati fitues në ndeshjen tjetër mes Bylisit dhe Egnatias të luajtur në stadiumin Aduc Muca të ballshit. Ky 90 minutësh u mbyll me barazimin pa gola 0-0, një rezultat që ndali serinë e 2 fitoreve radhazi të rrogozhinasve.
Si Bylis ashtu edhe Egnatia i patën shanset e tyre për shënim në këtë ndeshje por asnjëra prej tyre nuk mundi dot të shfrytëzonte rastet e krijuara.
Top Channel