Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve që të tregojnë kujdes, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, pasi ka prezencë të lagështirës pothuajse në të gjitha rrugët dhe të inerteve në disa segmente të akseve rrugore.
Drejtuesit e mjeteve dhe të motomjeteve të mos kryejnë parakalime të gabuara, të ruajnë distancën gjatë qarkullimit, të vendosin rripin e sigurimit, kaskën mbrojtëse, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos drejtojnë automjetet ose motomjetet nën efektin e alkoolit.
Policia thekson se në të gjitha akset rrugore kryesore, në qendrat urbane dhe akset kryesore rurale, janë prezente shërbimet e Policisë Rrugore, Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”, për të drejtuar qarkullimin rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për t’i ardhur në ndihmë çdo drejtuesi mjeti dhe përdoruesi rruge që mund të ketë probleme.
“Të gjithë përdoruesit e rrugës të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë Rrugore e të autoriteteve të tjera shtetërore dhe në rast të bllokimit të rrugës, drejtuesit e mjeteve të qëndrojnë në radhë deri në zhbllokimin e saj.
Policia Rrugore është në kontakt të pandërprerë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve, për pastrimin e inerteve në disa segmente rrugore. Policia Rrugore sqaron të gjithë drejtuesit e mjeteve që ndëshkohen me masa administrative, për shkelje të ndryshme, se mund t’i shlyejnë masat administrative pranë çdo filiali të Postës Shqiptare ose në filialet e bankave të nivelit të dytë”, thekson policia.
Top Channel