“Plas” në politikën italiane, Draghi “ia lë topin e parave ruse” Salvinit

17/09/2022 12:35

Emrin nuk e bëri hapur, por nga fjalët e kryeministrit Italian u nënkuptua qartë. “E dimë kush është ai që i do shumë rusët, që kërkon heqjen e sanksioneve dhe flet fshehurazi çdo ditë me ta megjithatë, shumica e italianëve nuk bën të njëjtën gjë, dhe nuk dëshiron që ta bëjë”.

Vetëm pak përpara kësaj deklarate, Mario Draghi qe shprehur se “nuk ishte dakort me kreun e Legës, Matteo Salvini që sulmon sanksionet ndaj Rusisë”. Është pra gjithçka e qartë, shkruan la Repubblica. Kjo lëvizje e kryeministrit në largim, një ish bankier i suksesshëm që bëhet në zemër të fushatës zgjedhore, konsiderohet një ftesë për të zgjedhur: nga njëra anë miqtë Putinit dhe Orbanit, nga ana tjetër euroatlantistët.

E gjithë kjo, vetëm 24 orë pas telefonatës me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken. Megjithatë, sipas gazetës në zë italiane, objektivi kryesor i shefit të ekzekutivit, është Giorgia Meloni. Përpara se të plaste skandali i parave ruse, sondazhet e opinionit tregonin se partitë e krahut të djathtë në Itali kishin një shans të mirë të fitojnë shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të shtatorit. Kjo për shkak se italianët janë të frustruar me situatën, sidomos atë ekonomike.

Meloni, kandidatja kryesore e partisë postfashiste “Vëllezërit e Italisë” (Fratelli d’Italia), dukej mirë në anketime me premtimin e saj për ti thënë gjërat qartë dhe që vendi më në fund të marrë stabilitetin e shumëdëshiruar. Paralajmërimi politik i Draghit megjithatë, edhe pse mes rreshtash, u nënkuptua qartë: O me Europën, o me armiqtë e unitetit europian, duke iu referuar këtu edhe mbështetjes për kryeministrin hungarez. vetë Salvini e Meloni nuk e pranojnë se kanë marrë financime nga rusët.

Top Channel