Kirgistani, Taxhikistani në negocjata për t’i dhënë fund përplasjes ushtarake në kufi (fotot)

17/09/2022 17:56

Krerët e sigurisë së republikave fqinje të Azisë qendrore, Kirgistan e Taxhikistan u ulën sot në negocjata për t’i dhënë fund përplasjeve të rënda kufitare të ditëve të fundit ku 24 njerëz janë vrarë dhe rreth 100 janë plagosur.

Shërbimet kufitare kirgize njoftuan se një raund i ri bisedimesh ka nisur mes dy ish-republikave sovjetike pas shkëmbimeve të goditjeve me artileri të nisura prej të mërkurës.

Për luftimet e papritura ende nuk është dhënë asnjë motiv serioz, por erdhën duke u intensifikuar deri të premten.

Ministria kirgize e shëndetësisë tha dje se trupa të 24 njerëzve të vrarë në përplasjet, ishin dërguar në spitalin e Batken në kufi me Taxhikistanin.

Ata shtonin se në spital po trajtoheshin dhe 103 të plagosur nga predhat, ndërsa nga pala e Taxhikistanit ende nuk ka të dhëna për viktimat.

Por autoritetet taxhike kanë akuzuar forcat kirgize se kanë shkatërruar një xhami dhe kishin goditur infrastrukturë civile, duke përfshirë dhe ndërtime banimi.

Zyrtarë sigurie në Taxhikistan gjithashtu akuzonin Kirgistanin se po akumulonte trupa ushtarake dhe pajisje pranë kufirit për të përgatitur “provokime.”

Nuk është e qartë sesi nisën provokimet.

Në vitin 2021, një përplasje për të drejtat e ujit dhe të instalimit të kamerave të sigurisë nga Taxhikistani, solli konflikt kufitar ku humbën jetën 55 njerëz.

Presidentet e dy vendeve u takuan dje në samitin e sigurisë së aleancës lindore  në Uzbekistan dhe duket se aty ka nisur përpjekja e armëpushimit aktual.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA