Putin i thotë kryeministrit të Indisë se dëshiron që ‘konflikti në Ukrainë të mbyllet sa më shpejt’ (fotot)

16/09/2022 18:03

Gjatë një takimi sot të kryeministrit të Indisë Narendra Modi në rrethinat e samitit të sigurisë në Shangai, presidenti rus Vladimir Putin tha se dëshironte që konflikti në Ukrainë të marrë fund “sa më shpejt që të jetë e mundur,” por pa thënë se si.

Putin i tha më tej kryeministrit indian Narendra Modi se e kuptonte që India kishte shqetësime mbi luftimet.

“Unë e njoh pozitën tuaj mbi konfliktin në Ukrainë, i njoh shqetësimet tuaja …. do të bëjmë gjithçka mundemi që të marrë fund sa më shpejt,” raportohet se Putin i tha Modi në bisedimet bilaterale, shkruan rrjeti gjermane Deutche Welle.

Më vonë Putin mbajti takime bilaterale me presidentin turk Erdogan, i cili gjithashtu raportohet se e kishte nxitur Putin t’i jepte fund luftës në Ukrainë.

Putin e Erdogan raportohet se trajtuan një seri çështjesh që janë rrjedhojë e konfliktit në Ukrainë, si eksportet e grurit apo furnizimi me gaz i Turqisë. Për këtë të fundit raportohet një marrëveshje për pagesa pjesërisht në rubla nga Turqia, që hyn në fuqi së shpejti, sipas DW.

Putin kishte folur gjithashtu me presidentin e Azerbaixhanit Ilham Aliyev në Shanghai, i cili e kishte informuar se shpërthimi i fundit i konfliktit me Armeninë ishte “stabilizuar” dhe se armëpushimi ishte në ditën e dytë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha sot në takim se dëshironte që konflikti në Ukrainë të marrë fund sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe se është përpjekur të bindë homologun rus për nisjen e bisedimeve direkte të armëpushimit.

“Ne po bëjmë përpjekje për finalizimin e konfliktit në Ukrainë me anë të diplomacisë”, tha Erdogan teksa shtoi se gruri i eksportuar nga Ukraina ende nuk po arrin në shumë vende të varfra. /DW/

FOTO GALERI
1/3
Putin e Erdogan raportohet se trajtuan një seri çështjesh që janë rrjedhojë e konfliktit në Ukrainë

Top Channel