Misteri i 500 mijë dollarëve, Berisha: U informova nga emigrantët dhe nisa grumbullimin e informacioneve për Bashën

16/09/2022 13:10

Demokrati Sali Berisha e mohoi këtë të premte deklaratën e tij disa vite më parë se Lulzim Basha nuk ka marrë asnjë qindarkë nga rusët.

Ai u shpreh se në atë kohë ai nuk kishte informacione për financimin e PD nga rusët dhe se Basha e kishte mashtruar, por kur ishte informuar nga emigrantë të diasporës ai kishte nisur grumbullimin e informacioneve për të.

“Unë i besoja Lulzim Bashës, mua filluan të më informojnë emigrantë nga diaspora, fillimi i këtij viti, më përpara unë nuk e kam ditur ai ishte nën hetim për larje parash, ishte hap dosja, duhet të jetë hap 2 vjet para kur thirrën Arbenin, kur erdhën njoftime se nuk janë paguar para nga diaspora thash që Mother Jones paska pasur të drejtë dhe ky më ka mashtruar mua, sepse doli një zinxhir gënjeshtrash të tij, unë sapo e mora vesh, krijova një fond informacioni të mjaftueshëm, unë e denoncova publikisht dosjen ruse, kjo daton 6 muaj përpara, nuk kam folur gjersa kam pasur informacione, kam gjetur edhe informacione të paverifikuara, por nuk mund të merrem me të paverifikuarat, se normalisht informacionet kanë një rregull që duhet të jetë me dy burime, dhe informacioni me një burim është problematik”, tha Berisha.

Disa ditë më parë, një zyrtar i lartë amerikan deklaroi se Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014,  mes tyre edhe Shqipërisë.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazmë”, tha burimi i qeverisë amerikane.

Ish-kryetari i PD, Lulzim Basha e mohoi këtë duke deklaruar se “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus.”

Top Channel