Euro është zhvlerësuar ndjeshëm duke shënuar një rekord të ri të ulët historik në 116.5 lekë në tregun e këmbimit valutor vendas.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë monedha europiane ka humbur 0.8 lekë nga një ditë më parë në raport me monedhën kombëtare, lekun.
Pasi preku në korrik nivelin më të ulët historik në dy dekada në 116.6 lekë, euro shfaqi më pas një trend të lehtë në rritje duke u luhatur prej thuajse një muaji në nivelin e 117 lekëve.
Megjithatë, shumë poshtë nivelit që ishte krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur këmbehej mesatarisht për 121.5 lekë.
Zakonisht, kjo periudhë përkon me përfundimin e sezonit turistik dhe largimin e emigrantëve çka sjell një forcim gradual të euros në raport me monedhën vendase me mbarimin e efekteve sezonale, por duket se po ndodh e kundërta.
Ndërkohë, pasi shënoi rritje të ndjeshme duke prekur edhe nivelin e 118.3 lekëve në fillim të shtatorit, edhe dollari amerikan i është rikthyer trajektores rënëse duke u barazuar sërish me euron në tregun vendas dhe këmbehet për 116.5 lekë.
Që prej fillimit të vitit dollari është forcuar me 9.7 lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë monedha është rritur me plot 13.7 lekë.
Top Channel