Debat për financimet ruse/ Replikat për “fondet europiane dhe fondet anti europiane”

15/09/2022 15:38

Në nderim të ndarjes nga jeta të mbretëreshës së Anglisë Elizabeta II parlamenti shqiptarë e nisi seancën plenare me një minutë heshtje. 

Debati për lobimin e PD-së me para ruse u tentua të ndizet nga ish kryeministri socialist Pandeli Majko.

“Besoj që sot në kufijtë 24 orëve, drejtuesit e PD, me ose pa zyra e dinë shumë mirë që PD ka marrë rreth 500 mijë nga fondet ruseve, mirë do ishte që kur flasin për fondet europiane, të flasim dhe për fondet anti europiane, nuk mbyllet me ironi, përpara se t’i kërkoni Beqes sonë, po Beqes suaj, dhe ky nuk është një faj individual, është një akuzë e konfirmuar nga administrata amerikane”, tha Majko.

I vetmi demokrat që guxoi të përmend litarin në shtëpinë e të varurit ishte Enkelejd Alibeaj por natyrisht pa pikën e dëshirës për ti hedhur benzinë zjarrit në debatin politik.

“Më në fund Pandit i qenka shëruar goja se për çështje delikate, i vetmi që nuk duhet të fliste nuk duhet të ishe ti, se e di një gjë që është një makinacion që mungon sot, po si i vjetër në politikë, së paku prit dhe ca orë se do të përgënjeshtrohet, dhe shko prapë të dentisti”, tha Alibeaj.

Por Pandeli Majko nuk u impresionua nga batuta e Alibeajt dhe e avancoi më tej ofensivën politike për paratë ruse mbërritur në SHBA për lobim ku përfituesja fundore ishte PD.

“I respektoj shumë këta që kanë mjekët të bardhë dhe flokë të zinj dhe dua si të jetë kështu, siç thonë këta, por po e përsëris dhe njëherë, ajo që keni diskutuar ju dhe midis vendit, është një akuzë e cila dje është ripërsëritur, unë uroj që Basha të shkojë normalisht në SHBA dhe partia që u krijua nga studentët të mos ketë këtë akuzë”, tha Majko.

 

 

Top Channel