Lobimi rus në PD? Reagon krahu i djathtë i Bashës, Gazment Bardhi: Janë thashetheme

14/09/2022 11:33

Gazment Bardhi i konsideron thashetheme, raportin e publikuar nga një zytar I lartë amerikan, sipas të cilit, Partia Demokratike është financuar nga Rusia në vitin 2017, periudhë kur në krye të saj ishte Lulzim Basha.

Duke iu përgjigjur interesit të medias, Bardhi u shpreh se drejtësia e ka thënë fjalën e saj lidhur me këto akuza, edhe pse theksoi se në vitin që bëhet fjalë, vetë ai nuk ka patur asnjë post në PD.

“Unë njihem si Gazment Bardhi dhe mbaj përgjegjësi për vete. Është një lajm i njohur publik apo thashetheme apo akuzë e njohur prej kohësh, që ka marrë përgjigje nga institucionet. Nuk pashë ndonjë dokument apo të dhënë shtesë, të ndryshme nga ato që publiku shqiptar është njohur dhe më parë. Në 2017, nuk kam pasur asnjë funksion apo detyrë në PD” – u shpreh Bardhi, ndërsa ftoi gazetarët t’i referohen reagimin të ish-kryetarit Basha, bërë ditën e sotme mbi rastin në fjalë.

Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan, raporton Zëri i Amerikës.

Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende.

Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.

“Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

Firma lobuese amerikane kishte deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.”- vijon artikulli në VOA.

Top Channel