Kreditimi në euro po shënon vlera rekord këtë vit, rritet me rreth 40% për 7-mujorin

14/09/2022 14:26

Kreditimi i ekonomisë shqiptare në Euro po shënon vlera rekord.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për shtatë muajt e parë të këtij viti sektori bankar ka disbursuar 661 milionë Euro kredi të reja të monedhën europiane. Kjo është vlera më e madhe e kredisë së re në Euro në të paktën shtatë vitet e fundit.

Krahasuar me një vit më parë, kredia e re në Euro është rritur me 39.7%, duke vijuar të shfaqë ritme të larta të rritjes për të dytin vit radhazi. Për 7-mujorin e vitit të kaluar, rritja e kredisë së re në Euro kishte qenë 41.2%.

Kredia në Euro po luan një rol dominues në rritjen e huasë për ekonominë. Për krahasim, kredia e re në lekë gjatë shtatë muajve të parë të vitit u rrit me ritme shumë më të ulëta, rreth 7.5%.

Pas një faze të shkurtër kur kredia në monedhën vendase dukej se po rritej me ritme më të shpejta, në periudhën pas pandemisë kreditimi i ekonomisë shqiptare po riorientohet dukshëm drejt Euros.

Rritja e kredisë në Euro po nxitet nga Euroizimi i lartë i ekonomisë shqiptare dhe sidomos nga rritja e shpejtë e depozitave në monedhën europiane. Në dy vitet e fundit, depozitat në Euro po rriten me ritme më të larta se ato në lekë. Kjo ka rritur fondet e lira në Euro për sektorin bankar, duke krijuar më shumë ofertë për kredi në monedhën europiane. Në mesin e këtij viti, depozitat në valutë të huaj përbënin 53.2% të totalit të depozitave bankare, në rritje të mëtejshme krahasuar me vitin e kaluar.

Struktura e depozitave sipas monedhës kushtëzon ndjeshëm edhe mënyrën sesi depozitat investohen në asete. Bankat kanë kufizime për pozicionet e hapura në valutë, që përfaqësojnë diferencën mes aktiveve dhe pasiveve në një monedhë të caktuar. Kjo do të thotë se depozitat në Euro duhet të investohen, në pjesën dërrmuese, në aktive po në monedhën Euro.

Për Lekun, një pjesë e madhe e depozitave investohen edhe në instrumente borxhi të qeverisë shqiptare, përveçse në kredi. Për Euron, tregu i brendshëm nuk ofron alternative investimi veç kredisë (me përjashtim të emetimeve sporadike të obligacioneve në Euro të qeverisë shqiptare). Alternativat e tjera janë vetëm vendosja apo investimi në instrumente financiare jashtë vendit. Në vitet e fundit, normat e interesit për vendosjet në depozita ose për instrumentet financiare me rrezik të ulët kanë qenë minimale, shumë afër zeros. Kreditimi i ekonomisë shqiptare në Euro ka qenë më i leverdishëm dhe ka nxitur rritjen e shpejtë të huasë në këtë monedhë.

Nga ana tjetër, kreditimi në Euro për huamarrësit me të ardhura në Lekë është tentuar të ngadalësohet prej bankë së Shqipërisë nëpërmjet masave rregullatore. Për bankat, kredia e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit kërkon një mbulim më të larta me kapital, ndërsa edhe niveli i rezervës së detyrueshme në Euro është më i lartë krahasuar me atë në lekë.

Por, dominimi në rritje i depozitave në Euro po i kushtëzon bankat të zgjerojnë edhe kreditë në Euro. Preferenca e publikut shqiptar drejt Euros në këtë mënyrë i ka bërë pak efikase masat e strategjisë së deeuroizimit të Bankës së Shqipërisë dhe në mënyrë të përsëritur ky institucion ka kërkuar që masat për rritjen e përdorimit të monedhës vendase të zgjerohen edhe jashtë sektorit bankar./ Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA