Dyshimet se Rusia financoi PD-në gjatë vitit 2017, mbështetësit e Berishës kërkojnë hetim ndaj Lulzim Bashës

14/09/2022 11:49

Edi Paloka, i cili përgjatë vitit 2017 mbante postin e kryetarit të grupit parlamentar në PD kërkon një hetim për Lulzim Bashën, pas lajmit se Partia Demokratike, në vitin 2017 është financuar nga Rusia në fushatën për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkon me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja, thotë Paloka në reagimin e tij, ndërsa kërkon “hetim serioz që t’i japë përgjigje kësaj akuze”.

Paloka pyet më tej, nëse kjo është çështja me të cilën Sali Berisha ka mbajtur peng Lulzim Bashën, duke e detyruar të ndëmarrë akte që çuan në përçarjen e PD-së dhe nëse në po të njëjtën mënyrë po shantazhohen dhe deputetë të tjerë demokratë.

E drejta dhe e vërteta e kanë gjithnjë rrugën më të veshtirë, por në fund është vetëm ajo rrugë që të çon ku duhet, thotë Paloka në fund të deklaratës së tij.

Genc Pollo kërkon që Partia Demokratike të bëjë transparencë mbi “500 000 dollarët rusë” të Lulzim Bashës.

Si deputet i zgjedhur në vitin 2017 i kam besuar shpjegimeve publike të asokohe kryetarit Lulzim Basha se në asnjë mënyrë burimi i financimit nuk ka qenë Rusia ose të tjera shtete apo organizata jo miqësore me Shqipërinë, shkruan Pollo në reagimin e tij.

Financimet kanë ndodhur jashtë buxhetit zyrtar te partisë dhe kanë përdorur guackat fiskale jashtë vendit tonë, thotë ai, ndërsa thekson më tej  se “sot kemi të bëjmë me pohime zyrtare amerikane se Basha mori financime në vitin 2017 nga një shtet jomiqësor”.

Pollo propozon që udhëheqja aktuale, përfshi kryetarin Berisha e Sekretarin e Përgjithshëm Noka të ndërmarrin një audit të plotë të çështjes të drejtuar nga një Komision i Posaçëm. Raporti i auditimit duhet t’u prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar si dhe të publikohet në ëebsitin e partisë.

Top Channel