Burrin që bëri pelegrinazhin në Mekë ‘për vdekjen e mbretëreshës’ arrestohet në Arabinë Saudite (fotot)

14/09/2022 21:10

Autoritetet saudite kanë arrestuar një burrë që pretendonte se kishte ardhur në qytetin e shenjtë të Mekës për të kryer “pelegrinazhin për llogari të mbretëreshës së vdekur britanike Elisabeta”.

Burri nga Jemeni publikonte video të vetes në rrjetet sociale teksa hynte në Xhaminë e Madhe të Mekës, që është vendi më i shenjtë i fesë islame dhe ku jo-muslimanët nuk lejohen.

Pelegrinazhi në Mekë njihet ndryshe si “umrah” dhe këshillohet të bëhet një herë në jetë nga çdo musliman.

Në videot e personazhit në fjalë që nga shumë quheshin qesharake, burri mbante një flamur ku shkruhej: “Umrah për shpirtin e mbretëreshës Elizabeth II, i kërkojmë Zotit ta pranojë në parajsë dhe mes të drejtëve”.

Pamje qarkulluan shpejt në rrjetet sociale saudite nga ku erdhën dhe thirrjet për arrestimin e tij.

Arabia Saudite ndalon që pelegrinët në Mekë të mbajnë slogane apo flamurë.  Megjithse besimi lejon që ‘umrah’ të kryhet për llogari të muslianëve të vdekur, kjo nuk mund të aplikohet për jo-muslimanë si mbretëresha Elisabeta, e cila ishte guvernatore e Kishës së Anglisë dhe e Kishës së komunitetit botëror anglikan.

Në një deklaratë të mediave shtetërore saudite thuhej sot se “forcat e sigurisë arrestuan një burrë me shtetësi jemenite me një pankartë brenda Xhamisë së Madhe që kishte shkelur rregullat dhe udhëzimet e umrah”.

“Ai u arrestua dhe u morën masat e mëtejshme ligjore duke u dërguar në prokurorinë publike”.

Televizioni shtetëror publikoi pamje të incidentit por me pankartën e errësuar.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA