Bullizmi është përhapur gjerësisht, në rrjete sociale, ambiente publike, në shkolla madje edhe nëpër muret e rrugicave të lagjeve ku shkruhet spiuni me biçikletë.

Ndërkohë merr edhe formën e kërcënimit “spiuni do të vdesë”.

“Është shumë e rëndësishme që fenomeni të arrijë të njihet ashtu siç duhet. Një fëmijë i bullizuar do të thotë një fëmijë i ndrydhur emocionalisht, që përjeton ankth gjatë gjithë kohës, frikë, mospasjen dëshirë për të shkuar në shkollë”, tha psikologia Arjana Muça.

Përveç dhunës psikologjike apo fizike, ngacmimet kanë kaluar në botën virtuale, duke e thelluar problemin edhe me fenomenin që tashmë quhet “bullizmi kibernetik”. Fëmijët po shfrytëzojnë telefonat për të tallur në rrjete sociale shokët e tyre.

Sipas psikologeve, puna kundër bullizmit, duhet të fillojë pikërisht me fëmijët që ngacmojnë dhe jo me viktimat e tyre.

“Fëmija ka nevojë për rregulla, për disiplinë. Dhe disiplinë nuk do të thotë dhunë fizike por vendosja e rregullave dhe limiteve do të bëjë që fëmija do të kuptojë deri kur janë limitet e tij për të vepruar dhe ndërvepruar me të tjerët”, u shpreh psikologia.

Përballë kësaj situate, qe nuk duket se zbehet me kalimin e viteve, Ministria e Arsimit ka planifikuar që me nisjen e vitit të ri shkollor nxënësit do të zhvillojnë edhe programin kundër bullizmit, ku është hartuar manuali për punonjësit e shërbimit psiko-social që synon aktivitete parandaluese për këtë fenomen me qëllimin që fëmijët dhe adoleshentët të kuptojnë se pse nuk duhet të bullizojnë dhe se si nuk duhet të bien viktimë.

“Në shumicën e rasteve fëmijët mbyllen në vetvete dhe nuk kanë ndërgjegjësimin e duhur se ku të drejtohen për të kërkuar ndihmë, ndaj manuali është një element shumë i mirë për t’i ndërgjegjësuar fëmijët ku dhe kur të kërkojnë ndihmë se këta fëmijë mund të arrijnë deri aty sa të kalojnë deri në vetëvrasje”, u shpreh psikologia Arjana Muça.

Orët kundër bullizmit janë të ndara sipas grupmoshave nga parashkollori deri në gjimnaz, ajo që mbetet është vetëm zbatimi i programit efektivisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA